Bashkimi Europian duhet të reagojë i bashkuar ndaj kërcënimeve të presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave, deklaroi ministrja e Financave e Suedisë, Elisabeth Svantesson.
Në një konferencë për shtyp, Svantesson e quajti “absurde” përdorimin e tarifave nga një president amerikan si mjet presioni për të “blerë ose marrë nën kontroll Groenlandën”.
Ajo theksoi se vendet e BE-së nuk duhet të qëndrojnë pasive përballë kësaj situate.
“Gjëja më e rëndësishme është që të veprojmë së bashku, sa më shumë vende të jetë e mundur, idealisht të 27 vendet e BE-së. Nuk mund të qëndrojmë me kapelë në dorë dhe të përkulemi; duhet të reagojmë, sepse kjo ka arritur një nivel që nuk e kemi parë më parë.”
Sipas saj, tarifat janë të dëmshme, por problemi më i madh lidhet me qëndrimin e presidentit Trump ndaj Groenlandës. Svantesson shtoi se, megjithatë, ekonomia europiane dhe ajo globale kanë treguar qëndrueshmëri më të madhe se sa pritej.Trump deklaroi të shtunën se nga 1 shkurti do të vendosë tarifa të reja dhe në rritje ndaj Danimarkës, Suedisë, Francës, Gjermanisë, Holandës dhe Finlandës, si dhe ndaj Britanisë së Madhe dhe Norvegjisë, nëse Shtetet e Bashkuara nuk lejohen të blejnë Groenlandën. Ky veprim është cilësuar nga disa shtete të mëdha të BE-së si shantazh.
Tetë vendet e përmendura janë tashmë subjekt i tarifave amerikane prej 10 dhe 15 për qind dhe kanë dërguar një numër të kufizuar trupash ushtarake në Groenlandë, ndërsa tensionet mes SHBA-së dhe Europës për të ardhmen e ishullit arktik vazhdojnë të rriten./mxh
