Last Updated on 16/11/2026 by EL
Modelja paraguajane Larissa Riquelme, e cila u bë e njohur në mbarë botën gjatë Kupës së Botës 2010, ka shpërthyer në lot gjatë një interviste televizive, teksa ka rrëfyer pasojat që po përjeton nga kriza financiare e bankës Ueno në Paraguai.
Në një intervistë për televizionin argjentinas A24, ajo tregoi se në këtë institucion kishte depozituar kursimet e mbledhura gjatë nëntë viteve të punës. E prekur emocionalisht, modelja tha se është e dhimbshme të shohësh në rrezik frytet e viteve të tëra sakrificash.
“Është e trishtueshme, sepse në atë bankë janë në lojë nëntë vite sakrificash të miat”, u shpreh ajo.
Kriza lidhet me Ueno Bank, një institucion financiar që kishte rreth 3 milionë klientë dhe administronte fonde me vlerë qindra milionë dollarë. Banka Qendrore e Paraguait ndërhyri në institucion më 2 nëntor, duke nisur procedurat për zgjidhjen e tij dhe duke pezulluar aktivitetin bankar.
Për Larissën, situata nuk lidhet vetëm me kursimet. Modelja tregoi se ishte gjithashtu e punësuar në një kompani komunikimi të lidhur me grupin financiar dhe se kriza ka prekur edhe vendin e saj të punës. Ajo foli për largimin e qindra punonjësve dhe pasigurinë për të ardhmen.
Megjithatë, nuk bëhet fjalë ende për një humbje të konfirmuar të të gjitha depozitave. Autoritetet kanë parashikuar mekanizma për mbrojtjen e depozitave deri në një kufi të caktuar, ndërsa procesi për zgjidhjen e situatës financiare vijon.
Larissa Riquelme u bë një nga figurat më të komentuara të Botërorit të vitit 2010 në Afrikën e Jugut, ku imazhet e saj gjatë ndeshjeve të Paraguait u shpërndanë në mediat ndërkombëtare. Që prej asaj kohe, ajo ka vijuar karrierën si modele dhe personazh televiziv.
/et
