Një tërmet i fortë ka tronditur mbrëmjen e sotme qytetin e Napolit dhe zonat përreth. Lëkundja sizmike është regjistruar rreth orës 19:46 dhe, sipas vlerësimit paraprak të Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë (INGV), ka pasur magnitudë 4.7.
Pas goditjes së fortë, shumë banorë kanë dalë jashtë banesave pak para orës 20:00, pasi lëkundjet janë ndjerë në disa zona të qytetit.
Deri në këto momente nuk raportohen dëme materiale në ndërtesa apo persona të lënduar. Megjithatë, autoritetet kanë nisur kontrollet për verifikimin e gjendjes së strukturave dhe për të përjashtuar çdo rrezik të mundshëm.
Lëkundjet sizmike kanë shkaktuar gjithashtu probleme me furnizimin me energji elektrike në disa zona të Napolit. Ndërprerje janë raportuar kryesisht në qendrën e qytetit, në lagjen Chiaia dhe në zonat perëndimore të Napolit.
Për arsye sigurie, qarkullimi hekurudhor në linjat Cumana dhe Circumflegrea është pezulluar përkohësisht, ndërsa po kryhen kontrolle teknike në infrastrukturë. Lajmi është bërë i ditur nga EAV, kompania e transportit publik të Rajonit të Kampanias që menaxhon linjat hekurudhore në zonën e Fushave Flegreane.
Tërmeti ka ndodhur në një mbrëmje të veçantë për qytetin e Napolit, i cili po zhvillon edhe një festë jozyrtare të tifozëve me rastin e 100-vjetorit të klubit të Napolit. Sipas organizatorëve, më shumë se 10 mijë persona kanë marrë pjesë në procesionin e tifozëve.
Pavarësisht frikës së shkaktuar nga lëkundjet, deri tani nuk janë raportuar pasoja serioze për banorët apo dëmtime të rënda në infrastrukturë./mxh
