Monica Bellucci vazhdon të jetë një prej figurave më ikonike të bukurisë italiane, por mënyra se si ajo kujdeset për veten është shumë larg rregullave strikte që shpesh shoqërojnë rutinat e yjeve.
Në vend që të ndjekë dieta kufizuese apo të kalojë orë të tëra në palestër, aktorja ka zgjedhur një filozofi më të ekuilibruar: ushqim i mirë, kënaqësi dhe lëvizje pa e kthyer kujdesin për trupin në një obsesion.
Bellucci, e cila këtë javë festoi 62-vjetorin, ka treguar në intervista të ndryshme se nuk ka hequr dorë nga ushqimet që i pëlqejnë. Pasta, ëmbëlsirat dhe një gotë verë janë pjesë e jetës së saj, sigurisht në sasi të moderuara.
“Ha mirë, pi mirë, bëj seks të mirë dhe qesh shumë”, ishte formula e saj e thjeshtë për një jetë të mirë, e ndarë në një intervistë në vitin 2015.
Ushqyerja e saj lidhet shpesh me parimet e kuzhinës mesdhetare, me fruta, perime, vaj ulliri, arra, avokado dhe burime proteinash. Në vend të ndalimeve absolute, ajo i kushton rëndësi ekuilibrit dhe porcioneve.
Edhe aktiviteti fizik për Belluccin nuk ka qenë një garë me orën. Pilates dhe noti janë ndër format e lëvizjes që ajo ka përmendur ndër vite. Në periudha të caktuara, aktorja ka treguar se noton disa herë në javë, rreth 45 minuta.
“Ushtrohem, sigurisht, pak, dhe mbaj dietë pak kur duhet të punoj, por nuk jam e fiksuar pas kësaj”, ka thënë ajo.
Një pjesë e rëndësishme e filozofisë së Belluccit lidhet edhe me mënyrën se si e pranon trupin e saj. Ajo nuk ka synuar kurrë të përshtatet me idealin e një trupi tepër të dobët.
“Kam qenë gjithmonë një grua me forma, nuk kam qenë kurrë aq e dobët; kjo është natyra ime”, është shprehur aktorja.
Por ajo që e dallon më shumë qasjen e saj është mënyra se si flet për moshën. Për Belluccin, vitet që kalojnë nuk janë diçka që duhet fshehur apo luftuar me çdo kusht.
“Dua të plakem në një mënyrë paqësore. Kur je 50 apo 60 vjeç, nuk ke të njëjtat nevoja si kur je 20”, ka deklaruar ajo.
Aktorja ka pranuar se industria e filmit vendos shpesh presion mbi gratë për të ruajtur pamjen e rinisë, por ajo ka zgjedhur ta shohë plakjen si një privilegj.
“Të plakesh do të thotë se ke fatin të jesh gjallë dhe ke ende një horizont përpara”, ka thënë Bellucci.
Në vend që të fokusohet vetëm te pamja, ajo e lidh bukurinë edhe me përvojën, qetësinë dhe mënyrën se si një person ndihet me veten. Dhe ndoshta ky është sekreti më i madh i Monica Belluccit: të kujdesesh për veten, pa harruar të shijosh jetën./mxh
