Last Updated on 01/11/2025 by EL
Alti Nallbati, vëllai i deputetit demokrat Bledion Nallbati, dhe dy të tjerët që morën peng Ilir Topçiun dhe e dhunuan fizikisht në Devoll, janë arrestuar nga Policia. Ata u shoqëruan një natë më parë në polici për këtë ngjarje, të ndodhur më 27 tetor, por kallëzimi u bë me datë 30 tetor.
Dy të arrestuarit e tjerë janë Marsel Buçi, 37-vjeç, dhe Trajan Çeliku, 38 vjeç. Policia thotë se të tre e kanë marrë me forcë 32-vjeçarin nga banesa pasi ndodhej në arrest shtëpiak, dhe më pas e kanë çuar në një biznes privat ku edhe e kanë keqtrajtuar. Burime bëjnë me dije se shkak janë bërë konfliktesh për prishje pazaresh për aktivitete të paligjshme, dyshohet kontrabandë.
Ndaj Alti Nallbatit dhe Çelikut rëndon akuza e heqjes së paligjshme të lirisë dhe kanosje, ndërsa ndaj Buçit rëndon edhe akuza e plagosjes së lehtë me dashje.
Alti Nallbati ishte protagonist edhe në sherrin e të vëllait deputet pak ditë para zgjedhjeve të 11 majit, ku goditi me grushte një shofer kamioni në rrugë.
Njoftimi i policisë:
Morën me forcë nga banesa për motive të dobëta një 32-vjeçar, e kërcënuan me jetë dhe ushtruan dhunë fizike ndaj tij, vihen në pranga 3 shtetas.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, pas kallëzimit të bërë më datë 30.10.2025, nga shtetasi I. T., 32 vjeç, i cili deklaroi se më datë 27.10.2025, tre shtetasit M. B., T. Ç. dhe A. N., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e kishin marrë me forcë dhe mbajtur për disa orë në një biznes privat, ku e kishin kanosur dhe ushtruar dhunë fizike ndaj tij, organizuan punën për kapjen e tyre.
Në këtë kuadër, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Devoll bënë ndalimin e shtetasve:
A. N., 42 vjeç, banues në Bilisht, dhe T. Ç., 38 vjeç, banues në fshatin Braçanj, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Kanosja”, të kryera në bashkëpunim;
M. B., 37 vjeç, banues në Devoll, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Kanosja”, të kryera në bashkëpunim.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë marrë me forcë nga banesa shtetasin I. T., 32 vjeç, banues në fshatin Braçaj, Bashkia Devoll, i cili ishte me masë sigurimi “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, dhe e kanë çuar në një biznes privat, ku është keqtrajtuar.
Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e motivit të saj.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme./e.t
