Moti i keq vazhdon të mbajë të mbërthyer vendin tonë. Në zonën e Dibrës vazhdojnë reshjet e dëborës, duke shkaktuar problematika në zonat e thella malore, temperaturat kanë zbritur nën zero dhe kanë shkaktuar ngrica, nga të cilat ka vështirësi në akset rurale, ku prezenca e akullit krijon vështirësi në lëvizje.
Gjithashtu probleme raportohen edhe në Rrugën e Arbrit, ku në disa segmente ka prezencë të borës dhe akullit.
Vështirësi në qarkullim ka në aksin Fushë-Bulqizë, Maqellarë, si dhe në njësinë Xibër, në afërsi të tunelit të Murrizit, ku automjetet lëvizin me kujdes të shtuar.
Ndërsa situata më problematike paraqitet në njësitë administrative Lurë, Kala e Dodës, Selishtë, Muhurr, Trebisht, Ostren, si dhe në disa fshatra të thella të qarkut Dibër, ku reshjet e borës dhe akulli kanë vështirësuar ndjeshëm qarkullimin.
Ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes të shtuar dhe të përdorin gomat dimërore në akset me rrezikshmëri të lartë./K.M
