Last Updated on 07/09/2025 by adminfjala
Vitet ‘90 rikthehen si paralajmërim për Ballkanin Perëndimor, i cili po kalon një nga periudhat më të trazuara politike në disa dekada. Nga bllokada institucionale në Kosovë, te protestat masive në Serbi, retorika separatiste në Bosnje e Hercegovinë dhe përçarjet në Mal të Zi – tabloja është një mozaik krizash. Ekspertët paralajmërojnë se indiferenca e Perëndimit, në një kohë kur Rusia përpiqet t’i shfrytëzojë dobësitë e rajonit, mund ta shtyjë Ballkanin drejt një spiraleje të rrezikshme.
Ballkani ka treguar se nacionalizmi nuk është vetëm retorikë, por shpesh pararendës i luftës.
Në vitet ‘90, ideologjia e Sllobodan Millosheviqit ndezi konflikte që lanë plagë të thella në rajon. Sot, hije të ngjashme po rikthehen përmes udhëheqësve aktualë. Në qendër të tyre, shumë vëzhgues vendosin Aleksandar Vuçiqin e Serbisë.
Në pushtet nga viti 2014, fillimisht si kryeministër, pastaj si president, ai ndjek një strategji që kombinon nacionalizmin me pragmatizmin politik, dhe shtrihet edhe përtej kufijve të Serbisë: në Kosovë, përmes sfidimit të autoritetit shtetëror; në Bosnje e Hercegovinë, përmes mbështetjes së hapur për separatizmin e liderit serb, Millorad Dodik; dhe në Mal të Zi, përmes ndikimit mbi grupet proserbe.
Në një gjendje të tillë kritike, Ivana Stradner nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington vëren se Vuçiq i përshkallëzon ose qetëson vetë krizat – jo për stabilitetin e rajonit, por për pushtetin e tij, duke rrezikuar ekuilibrat anekënd, sipas saj.
“Asgjë nuk është e izoluar, gjithçka është e ndërlidhur. Gjithçka që ndodh tani në Serbi lidhet shumë edhe me atë që ndodh në Bosnje, me Dodikun, me situatën në Kosovë dhe me polarizimin në Mal të Zi. Sepse, fatkeqësisht, ajo që ndodh në Beograd, e përcakton drejtimin e gjithë rajonit”, thotë Stradner për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.
E, rajoni duket se është mbërthyer në një cikël krizash që po thellohen.
Në Kosovë kanë kaluar mbi 200 ditë nga zgjedhjet, por institucionet nuk janë konstituuar. Përplasjet politike e kanë lënë Kuvendin pa nënkryetar serb, ndërsa vendi prej vitesh gjendet edhe nën masa ndëshkuese të BE-së, i bllokuar në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe shpesh në qendër të kritikave për një qasje të perceptuar si të pakoordinuar.
Në Mal të Zi, në pushtet janë partitë proserbe dhe proruse. Bashkë me Kishën Ortodokse Serbe, ushqejnë përçarjet etnike dhe kërkojnë lidhje më të ngushta me Serbinë.
Por, situata është akoma më e nxehtë në Bosnje e Hercegovinë, ku lideri serb, Millorad Dodik, sfidon hapur autoritetin e shtetit, duke injoruar vendimin e gjykatës që i ka hequr mandatin e presidentit të Republikës Sërpska.
Ai përhap urrejtje etnike, madhëron kriminelët e luftës, mohon gjenocidin e Srebrenicës dhe lobon hapur për shkëputjen e Republikës Sërpska nga pjesa tjetër e Bosnjës dhe bashkimin e saj me Serbinë.
Në krah të vetin, Dodik ka edhe Vuciqin, ndonëse të sfiduar nga protestat e studentëve – që janë ndër më të mëdhatë në historinë e Serbisë.
Shkëndijë që ndezi zemërimin e tyre para dhjetë muajsh, ishte shembja e çatisë së një stacioni hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona. Katastrofa iu atribua korrupsionit qeveritar dhe nxiti thirrje për zgjedhje të parakoshme.
Me rritjen e zemërimit në rrugë, reagimi i regjimit të Vuciqit u bë më drakonian. Pa asnjë provë, ai akuzoi ‘agjitatorët e huaj’ për përpjekje për revolucion dhe nisi një goditje të ashpër ndaj organizatave të shoqërisë civile me fonde nga jashtë, ndërsa turmat e orkestruara sulmuan protestuesit.
“Do të parandalojmë çdo përpjekje për të na çuar në konflikt qytetar dhe në rrezikim të sigurisë dhe paqes në vendin tonë. Do t’u themi edhe atyre jashtë, që kanë organizuar gjithçka, se nuk kanë pasur sukses dhe nuk do të kenë kurrë”, tha Vuçiq pas një proteste të dhunshme në gusht.
Në vitin 1998, autokrati jugosllav, Sllobodan Millosheviq, e emëroi Vuçiqin ministër të Informimit. Në këtë rol, ai zbatonte disa nga ligjet më kufizuese në Evropë kundër lirisë së shprehjes.
Gati tri dekada më vonë, Vuçiq kontrollon gjithçka në Serbi – nga mediat te gjyqësori, nga marrëveshjet për infrastrukturë deri tek ato për armatim – dhe qëllimi i tij është t’i heshtë protestuesit me çdo mjet, thotë Maja Bjellosh, nga Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë.
“Njerëzit e dinë se çdo dalje në rrugë mund të rezutojë me dhunë brutale nga policia, por, megjithatë, dalin dhe i kundërvihen regjimit dhe policisë. Ata ndiejnë se lufta e tyre për një shoqëri më të mirë është legjitime”, thotë Bjellosh për Exposenë.
Stradner tërheq një paralele të fortë midis situatës aktuale në Ballkan dhe kaosit të viteve 1990 që çoi në shpërbërjen e Jugosllavisë së atëhershme.
“Është tronditëse që në vitin 2025 flasim për një tjetër regjim autoritar – pothuajse 25 vjet pas rënies së regjimit të Millosheviqit. Serbia nuk ka përjetuar protesta të tilla që nga rënia e regjimit të Millosheviqit… Edhe ajo që po ndodh në Mal të Zi me polarizimin etno-nacionalist, në Kosovë me përshkallëzimet e mundshme, në Bosnje e Hercegovinë me lëvizjet e mundshme separatiste, më bën të kuptoj se një rikthim i viteve ’90, fatkeqësisht, mund të jetë në horizont”, thekson Stradner.
Ajo thotë se nuk parashikon një luftë si në vitet ’90, por paralajmëron se përmes formave moderne të luftës hibride, mund të arrihen qëllime destabilizuese.
David Kanin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins, pajtohet, por po ashtu vëren se një aspekt është ndryshe nga të ’90-tat. Atëherë thotë se Shtetet e Bashkuara ishin shumë të fuqishme dhe se Rusia bashkëpunonte me to, ndërsa sot – përballë luftës në Ukrainë, konfliktit në Gazë, rrezikut në rritje nga Kina – janë shumë më pak të angazhuara në Ballkan. m.p.
