Last Updated on 22/04/2026 by Monika
Policia ka zbardhur dinamikën e vrasjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në Memaliaj, ku viktimë mbeti një 30-vjeçar dhe u plagos një 25-vjeçar.
Lidhur me ngjarjen janë vënë në pranga tre persona. Dy prej tyre konkretisht shtetasit D. N., 25 vjeç dhe A. K., 47 vjeç, akuzohen për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, ndërsa shtetasi E.M., 41 vjeç për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Ndërkohë në janë shpallur në kërkim dy persona dhe janë proceduar dy të tjerë.
Sipas policisë, gjatë një konflikti të çastit mes 7 personave, 30 vjeçari ka qëlluar me armë zjarri 25-vjeçarin që mbeti i plagosur.
Më pas dy vëllezërit e këtij të fundit, qëlluan 30-vjeçarin, i cili ndërroi jetë në gjatë transportit për në spital. Ndërkohë po punohet për kapjen e dy vëllezërve që u larguan me automjet nga vendngjarja.
Njoftimi i policisë:
Memaliaj
Zbardhen rrethanat e ngjarjes, ndodhur mbrëmjen e datës 21.04.2026, në Memaliaj, ku u vra me armë zjarri shtetasi E. G. dhe mbeti i plagosur shtetasi D. N.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë Gjirokastër, vijuan hetimet e thelluara me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndodhur mbrëmë, në Memaliaj.
Si rezultat i hetimeve, u vunë në pranga shtetasit:
D. N., 25 vjeç dhe A. K., 47 vjeç, të dy banues në Memaliaj, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
E. M., 41 vjeç, banues në Memaliaj, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit D. N., 29 vjeç dhe vëllai i tij, shtetasi M. N., 28 vjeç, të dy për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasin J. K., 44 vjeç, banues në Memaliaj, për veprën penale “Deklaratat e rreme përpara prokurorit”, si dhe për shtetasin G. Q., 49 vjeç, banues në Memaliaj, për veprën penale “Kanosja”.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se mbrëmë ka patur një konflikt fizik të çastit, në të cilin janë përfshirë shtetasit D. N., M. N., D. N., A. K. dhe J. K., si dhe shtetasit G. Q. dhe E. G.
Gjatë konfliktit, dyshohet se shtetasi E. G. ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit D. N. (i arrestuar tashmë), i cili mbeti i plagosur dhe vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Më pas, 2 vëllezërit e shtetasit D. N. (2 shtetasit e shpallur në kërkim, D. N., 29 vjeç dhe M. N., 28 vjeç), dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit E. G. (i cili, si pasojë, ka humbur jetën gjatë transportimit në spital).
Të dy këta shtetas janë larguar menjëherë me automjet nga vendi i ngjarjes, ndërsa vijon puna intensive për kapjen e tyre.
Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale: arma e zjarrit pistoletë (me fishek në fole, gati për qitje), me të cilën dyshohet se shtetasi E. G. (i cili më pas humbi jetën) plagosi shtetasin D. N., 1 krehër me fishekë, municion luftarak, 2 automjete, 2 motomjete, 4 celularë dhe sende të tjera nga vendngjarja, të cilat do t’i shërbejnë vijimit të hetimit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme./mxh
