Naftëtarët grevistë të Sindikatës së Punonjësve të Hidrokarbureve kanë hyrë sot në ditën e 8-të të grevës së urisë në Marinzë, ndërsa një pjesë e kolegëve të tyre vijon të qëndrojë jashtë ambienteve të grevës, në mbështetje të tyre.
Ditën e djeshme, në orët e pasdites, një përfaqësi e grevistëve zhvilloi një takim me përfaqësues të kompanisë, ku u diskutuan kërkesat e grevistëve. Megjithatë, sipas Sindikatës, palët nuk arritën dakordësi për plotësimin e kërkesave kryesore të punëtorëve.
Nga sa bëhet me dije, e vetmja lëshim i kompanisë ka qenë rritja e normës së antidotës ushqimore, në përputhje me standardin që jep kompania shtetërore Albpetrol për punonjësit e saj.
Pavarësisht këtij propozimi, përfaqësuesit sindikalë bënë të ditur se kjo nuk mjafton dhe greva do të vijojë, si brenda ambienteve të grevës, ashtu edhe jashtë saj.
Sipas drejtuesve të Sindikatës në Marinzë, në ditët në vijim pritet të ngrihen çadra në oborrin e godinës ku zhvillohet greva, ndërsa 40 naftëtarë të tjerë pritet t’i bashkohen grevës së urisë, duke e çuar në 50 numrin total të grevistëve.
Grevistët kërkojnë përmirësimin e kushteve të punës, pagesa të dinjitetshme, trajtim të barabartë me punonjësit e tjerë të sektorit dhe zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme të nënshkruara me kompaninë.
Çfarë dihet deri më tani?
Protestuesit e naftëtarëve në Marinzë thonë se deri më tani nuk ka transparencë për kontratat ekzistuese, asnjë informacion zyrtar për një marrëveshje të ardhshme dhe se kjo mungesë komunikimi po i shtyn drejt grevës totale në rast se kërkesat e tyre nuk merren parasysh.
Ata theksojnë se janë të vendosur të ndalin punën deri në arritjen e një zgjidhjeje konkrete dhe një marrëveshjeje të re me punonjësit, ndërsa pritet reagimi i autoriteteve dhe i kompanisë për situatën. Sindikata paralajmëron se greva mund të ashpërsohet në ditët në vijim./ K.M