Last Updated on 15/06/2025 by adminfjala
Tensionet mes Iranit dhe Izraelit kanë vijuar, pasi të dy vendet kanë nisur sulme ajrore dhe raketore ndaj njëri-tjetrit gjatë natës, duke përshkallëzuar ndjeshëm situatën në Lindjen e Mesme.
Irani filloi një valë të re sulmesh ndaj Izraelit, duke goditur zona në qendër dhe veri të vendit. Shërbimi izraelit i emergjencës konfirmoi se katër persona humbën jetën në një sulm në Izraelin qendror. Ndërkohë, sipas disa mediave izraelite, katër persona të tjerë u vranë kur raketat iraniane goditën një lagje banimi pranë qytetit portual Haifa.
Një djalë 10-vjeçar ishte midis katër personave të vrarë nga një sulm me raketa iraniane në Izraelin qendror, ndërsa të tjerë ende rezultojnë të zhdukur në vendngjarje. Sipas shërbimeve të emergjencës mbi 100 të tjerë janë plagosur.
Një operacion i madh reagimi ndaj emergjencës është duke u zhvilluar në qytetin Bat Yam, ku një ndërtesë u godit drejtpërdrejt.
Një grua 60-vjeçare, një grua 80-vjeçare dhe një vajzë, mosha e së cilës nuk u bë e ditur, u vranë gjithashtu në sulm, sipas shërbimit kombëtar të emergjencës së Izraelit, Magen David Adom (MDA).
Si kundërpërgjigje, ushtria izraelite kreu një seri sulmesh ajrore mbi Teheranin, duke deklaruar se objektiv ishin ndërtesa të lidhura me programin bërthamor iranian, përfshirë Ministrinë e Mbrojtjes.
Ministria e Naftës e Iranit raportoi se depoja e naftës Shahran në Teheran u godit nga sulmet izraelite, por theksoi se situata është nën kontroll./e.t