NATO ka kundërshtuar me vendosmëri paralajmërimin e Rusisë për një përshkallëzim të rëndë ushtarak lidhur me enklavën ruse të Kaliningradit.
“NATO është një aleancë mbrojtëse dhe asnjë nga aktivitetet apo stërvitjet tona nuk përbën rrezik për asnjë pjesë të Rusisë”, deklaroi të martën zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, në përgjigje të një letre të qeverisë ruse.
Në letrën, të siguruar nga agjencia gjermane dpa, Moska akuzon NATO-n për një “përshkallëzim të paprecedentë” të situatës ushtarako-politike rreth Kaliningradit, të shoqëruar, sipas saj, nga deklarata “shumë provokuese” të zyrtarëve të vendeve anëtare të Aleancës.
Rusia paralajmëroi se një përpjekje e vendeve të NATO-s për të izoluar Kaliningradin nga pjesa tjetër e territorit rus mund të çojë në një konflikt të drejtpërdrejtë të armatosur.
Në dokument, Moska deklaron gjithashtu se është e gatshme të përdorë “të gjithë arsenalin” e forcave dhe kapaciteteve në dispozicion, përfshirë armët bërthamore, nëse e konsideron territorin e saj të kërcënuar.
Rusia u ka bërë thirrje vendeve të NATO-s të shmangin veprimet që, sipas saj, mund të destabilizojnë më tej situatën dhe të çojnë në një përballje të gjerë.
Në përgjigje, Hart dënoi “kërcënimin për përdorimin e forcës”, duke përfshirë atë që e cilësoi si retorikë bërthamore të papërgjegjshme.
Ajo i bëri thirrje Rusisë t’i japë fund luftës në Ukrainë dhe tha se NATO nuk do të tërhiqet nga mbështetja për Ukrainën.
“Ne kemi atë që nevojitet për të mbrojtur çdo centimetër të territorit aleat dhe mbetemi të fortë, të gatshëm dhe të aftë për t’iu kundërpërgjigjur çdo kërcënimi”, deklaroi zëdhënësja e NATO-s.
Tensionet rreth Kaliningradit vijnë në një periudhë të rritjes së shqetësimeve për sigurinë në krahun lindor të NATO-s dhe për aktivitetet hibride që aleanca ia atribuon Rusisë./mxh
