Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se mbështetja ushtarake për Ukrainën vazhdon pa ndërprerje, ndërsa aleanca ka forcuar ndjeshëm kapacitetet e saj mbrojtëse.
Gjatë një konference për shtyp në Bruksel, Rutte theksoi se për herë të parë në vitin 2025, të gjitha vendet anëtare të NATO-s kanë përmbushur objektivin për të shpenzuar të paktën 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen. Ai shtoi se shpenzimet e Evropës dhe Kanadasë për mbrojtjen janë rritur me 20% krahasuar me vitin 2024.
Në lidhje me luftën në Ukrainë, Rutte bëri të ditur se furnizimi me pajisje ushtarake thelbësore, përfshirë sistemet e mbrojtjes ajrore dhe municionet, vazhdon të mbërrijë në Kiev përmes programeve të mbështetura nga aleatët.
Sipas tij, një pjesë e madhe e raketave për sistemet Patriot dhe municionet për mbrojtjen ajrore janë siguruar përmes këtij bashkëpunimi, duke e konsideruar atë jetik për përballimin e sulmeve.
Megjithatë, kreu i NATO-s paralajmëroi se industria e mbrojtjes ende nuk po prodhon mjaftueshëm dhe se nevojiten përpjekje të mëtejshme për të rritur kapacitetet dhe për të përshpejtuar inovacionin.
Rutte nënvizoi gjithashtu rëndësinë e mbështetjes së vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara, si në furnizimin me armatime ashtu edhe në ndarjen e inteligjencës, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si thelbësor për mbrojtjen e Ukrainës./MXH
