Last Updated on 16/03/2026 by Anisa
Gazetari Mentor Kikia ka ngritur alarmin për dëmet mjedisore që po i shkaktohen shtratit të lumit Shkumbin dhe degëve të tij, si pasojë e marrjes së inerteve gjatë punimeve për ndërtimin e Korridorit VIII.
Në një reagim të fortë publik, Kikia denoncon se ndërhyrjet e pakontrolluara po shkatërrojnë ekosistemin e lumenjve dhe po rrezikojnë drejtpërdrejt tokat bujqësore dhe infrastrukturën rurale.
Sipas tij, situata është veçanërisht shqetësuese në përroin e fshatit Papër, i cili njihet si një nga përrenjtë më agresivë në vend për sa i përket erozionit. Kikia thekson se brenda një dekade nga ky përrua janë marrë dy herë inerte, por gjatë vitit të fundit ndërhyrjet janë bërë në mënyrë të pakontrolluar dhe, sipas tij, “barbare”.
Ai shprehet se nga ndërhyrjet është nxjerrë pothuajse i gjithë materiali i shtratit të përroit, duke shkaktuar pasoja të menjëhershme në terren.
Mes pasojave kryesore që ai rendit janë rritja drastike e erozionit, shkatërrimi i pritave mbrojtëse të ndërtuara nga banorët për të mbrojtur tokat bujqësore, dëmtimi i strukturave që mbanin në këmbë rrugën rurale, si dhe prishja e kanaleve ujitëse për shkak të uljes së nivelit të shtratit të përroit.
Gazetari ngre gjithashtu pikëpyetje për kontrollin dhe standardet mjedisore që duhet të ndjekin kompanitë që kryejnë këto punime.
“A kanë kritere mjedisore këto kompani që ndërhyjnë në lumenj? Pse lejohet një shkatërrim i tillë i natyrës?”, shprehet ai, duke krahasuar mënyrën e trajtimit të mjedisit me praktika shfrytëzuese të epokave të kolonizimit.
Reagimi i Kikisë vjen në një kohë kur projektet e mëdha infrastrukturore në vend po shoqërohen shpesh me debate për ndikimin e tyre në mjedis dhe për nevojën e një kontrolli më të rreptë mbi shfrytëzimin e burimeve natyrore.
Reagimi i plotë:
