Last Updated on 02/12/2025 by Monika
Policia e Shtetit po i nënshtrohet një riorganizimi të rëndësishëm në nivel drejtuesish rajonalë. Drejtori i Përgjithshëm, Ilir Proda, ka hapur zyrtarisht garën për pozicionet e drejtuesve të qarqeve Elbasan, Korçë dhe Shkodër, në përputhje me ligjin për rifreskimin e strukturave drejtuese.
Në listën e aplikantëve përfshihen disa emra me eksperiencë të gjatë në radhët e uniformave blu, midis tyre Loard Sallaku, Uljan Shpataraku, Islor Islami, Alban Çela dhe Dritan Lena.
Kush pritet të drejtojë Elbasanin?
Një nga kandidatët më të fortë për drejtimin e Policisë së Elbasanit është oficeri i karrierës Loard Sallaku, i cili numëron 21 vite eksperiencë në radhët e Policisë së Shtetit. Prej pesë muajsh ai mban detyrën e drejtorit të komanduar të Policisë së Kukësit dhe konsiderohet një prej emrave me perspektivë në strukturat drejtuese.
Lëvizje edhe në Korçë
Për drejtimin e Policisë së Korçës, potencial mbetet Uljan Shpataraku, me mbi 15 vite eksperiencë. Ky post është vakant pas largimit të ish-drejtorit Erjon Ahmeti, i shkarkuar nga Proda.
Shkodra drejt konfirmimit të një emri të njohur
Aktualisht, drejtimin e Policisë së Shkodrës e mban i komanduar Gentian Berberi, i cili vitin e shkuar fitoi konkursin për drejtimin e Policisë së Kukësit. Pas pesë muajsh në Shkodër, ai është pjesë e listës së fituesve në garën e hapur dhe pritet të konfirmohet zyrtarisht në këtë detyrë.
Kush do të drejtojë Kukësin?
Për qarkun e Kukësit, gara është mes tre oficerëve: Islor Islami, Alban Çela dhe Dritan Lena, nga të cilët pritet të dalë drejtuesi i ri.
Procesi i përzgjedhjes pritet të finalizohet së shpejti, duke sjellë një ristrukturim të rëndësishëm në kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit./mxh
