Last Updated on 19/11/2025 by EL
Më pak prodhim bujqësor, kufizim të mundësive për vaditje por edhe përmbytje që përsëriten shpesh. Janë këto vetëm disa nga rreziqet që i kanosen Shqipërisë, si pasojë ndryshimeve klimatike. Në raportin vjetor të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit thuhet se rendimenti i prodhimit për kulturat bujqësore mund të tkurret deri në 23 për qind te vreshtaria kultura e ndërsa tek gruri deri në 5 për qind.
Ndryshimet e ardhshme klimatike në Shqipëri pritet të kenë efekte të konsiderueshme në prodhimin e kulturave bujqësore. Veçanërisht në zonat fushore, parashikohet që rendimenti i misrit të ulet me 17% dhe rendimenti i domateve dhe shalqirit të bjerë me 6-11%. Në zonat bujqësore me mundësi të kufizuara vaditjeje ose me mungesë të plotë vaditjeje, pritet që rendimenti i jonxhës të ulet me 6%, rendimenti i rrushit me 17-23%, rendimenti i ullinjve me 11- 20%, ndërsa rendimenti i grurit pritet të rritet me 4-5%. – Agjencia Kombëtare e Mjedisit
Në bujqësi rreziqet kryesore që mund të vijnë prej klimës përveç uljes së prodhimit, është edhe mungesa e ujit për vaditje apo shtimi i insekteve të dëmshme.
Nëse analizojmë strukturën e prodhimit gjatë dhjetë viteve të fundit, do të konstatojmë se sipërfaqja e kultivuar me grurë është ulur me rreth 22%, ndërsa prodhimi ka rënë me 13%. Por jo vetëm thatësira, por këto ndryshime drastike mund të sjellin edhe përmbytje.
Përmbytje masive, çdo 3-4 vjet (përmbytjet kanë shkaktuar humbjen e rreth 10 000 ha grurë, 15 000 ha foragjere, 1000 ha pemë frutore dhe mbi 1500 ha vreshta). Dëmtimi më i madh ka ndodhur në verilindje (rajonet e Shkodrës dhe Lezhës.
Edhe tek blegtori ndikimi nga ndryshimeve klimatike do të jetë i ndjeshëm duke ndikuar direkt në uljen e prodhimit blegtoral, në riprodhimin, shëndetin dhe vdekshmërinë e kafshëve si pasojë e rritjes së temperaturave, si dhe të shpeshtësisë dhe intensitetit të valëve të të nxehtit. Po në këtë raport thuhet se nga thatësira rrezikohet edhe zhdukja e racave të bagëtive. E.T.
