Gazetari dhe analisti Mentor Kikia ka folur sot lidhur me zgjedhjen e strukturave drejtuese në Partinë Demokratike, proces i zhvilluar dy ditë më parë.
Në një lidhje live me “Kafe Shqeto” në Syri Tv, Kikia i cilësoi ndryshimet si pozitive pasi sipas tij lidhen me ndryshime rrënjësore në të gjitha strukturat e kësaj partie.
Ndër të tjera komentoi dhe përfshirjen e të rinjve ku u shpreh se ata duhet ti ngjisin shkallët e karrierës një nga një dhe të rriten politikisht në mënyrë graduale.
“Lidhur me zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike. Padyshim që janë absolutisht pozitive pasi lidhen me ndryshime rrënjësore në të gjithë strukturat e kësaj partie, me rinovimin dhe mbi të gjitha, jo thjesht rinovim për shkak të ndërrimit të emrave, por mua më pëlqen tërheqja apo hapja rrugë për të rinjtë. Megjithatë këtu pastaj, duke qenë se jam pak tip grindaveci dhe nuk rri dot pa bërë vërejtje, mendoj që përfshirja e të rinjve nuk duhet bërë për kozmetikë. Hajde të fusim të rinj, ca çuna e goca të cilët të duken, ta tregojnë partinë të re. Të rinjtë nuk do duhet të tërhiqen nga lidershipi, por të rinjtë që përfshihen në politikë do duhet t’i ngjisin ato shkallë të karrierës, një nga një, të ngjisin tre, të rrëzohen dy, pastaj të ngjisin prapë një, dhe gjatë kësaj përpjekjeje për të ngjitur shkallat e karrierës ata perfeksionohen, ata rriten politikisht, piqen politikisht dhe bëhen kandidaturë për lidership. E kemi parë për fat të keq në të dyja krahët, edhe në Partinë Socialiste, edhe në Partinë Demokratike, ku të rinjtë tërhiqen nga lidershipi nga hiçi politik, pa patur kontribute. Nuk po paragjykoj këtu që janë të paaftë intelektualisht, por politika është tjetër gjë, politika nuk është diplomë”, u shpreh Kikia. /kb
