Policia çeke po kërkon një hajdut që vodhi kafkën 800-vjeçare të një shenjti nga një kishë. Një foto e paqartë nga kamerat e sigurisë, e publikuar të martën mbrëma, duket se tregon një person të veshur me të zeza duke mbajtur atë që policia tha se ishte kafka e Shën Zdislavës së Lemberkut.
I dyshuari u pa duke vrapuar mes stolave në bazilikën e Shën Lorencit dhe Shën Zdislavës në Jablonne v Podjestedi, 110 km në veri të Pragës.
“Vlera e kafkës së vjedhur po hetohet aktualisht. Megjithatë, vlera e saj historike është padyshim e pallogaritshme”, tha zëdhënësja e policisë, Dagmar Sochorova. Shën Zdislava e Lemberkut, një fisnike, jetoi nga viti 1220 deri më 1252 dhe ishte e njohur për bujarinë dhe punën e saj për të varfrit. Ajo u kanonizua nga Papa Gjon Pali II në vitin 1995.
“Ky është një lajm shkatërrues”, tha kryepeshkopi i Pragës, Stanislav Pribyl, i cili drejton gjithashtu dioqezën e Litomerices që ka në kujdes kishën e Jablonnes. “Kafka nderohej nga pelegrinët… Nuk mund ta besoj që dikush, praktikisht në mes të ditës, vjedh nga kisha një relike me vlerë mbi të gjitha historike dhe shpirtërore për besimtarët”.
E vendosur mbi një altar në një kapelë anësore, kafka “ishte objekt adhurimi për pelegrinët që udhëtonin drejt Jablonnes, ku Zdislava jetoi dhe punoi më shumë se 750 vite më parë”, shtoi Pribyl./mxh
