Alex Pretti kishte guxim dhe empati. Pikërisht kjo – jo koncepti i Maga-s për fuqinë mashkullore – është ajo që duhet t’u mësojmë të rinjve.
Alexander Hurst*
Gjëja e parë që më tërhoqi te kënga e vitit 2011 e grupit Rapture, It Takes Time to be a Man, ishte dridhja e paqëndrueshme, analoge, e riff-it të përsëritur të kitarës dhe pianos. Pasi kjo më kapi, ajo që më mbajti duke dëgjuar ishin vargjet, ku maskuliniteti dhe empatia lidhen në një martesë të vështirë. Në strofën e fundit, Luke Jenner na thotë:
“Epo, tani ka vend në zemrën tënde
që përsosmëria të ngrihet më këmbë
Dhe ka lot që duhet të derdhen
është e gjitha pjesë e planit.”
Gjatë vitit të fundit, zëra të së djathtës kanë shpallur luftë ndaj empatisë. Sipas Elon Musk-ut, empatia është “dobësia themelore e qytetërimit perëndimor”. Të tjerë shkojnë edhe më tej, duke e quajtur “toksike”, “vetëvrasëse” madje edhe “mëkatare”. Sigurisht, krahu macho i së djathtës Maga nuk sheh asnjë vend për të, mes keqpërdorimit të historisë dhe imazherisë mesjetare që shfaqet kudo: nga boja në fytyrë dhe kapelja me brirë e “shamanit të QAnon”, i dënuar për rolin e tij në sulmin ndaj Kapitolit amerikan, deri te krahët e tatuazhuar dhe trupi i sekretarit të luftës së Donald Trump-it, Pete Hegseth.
E megjithatë, mjafton të mendosh idealin e kalorësisë që mbanin kalorësit mesjetarë: bujari dhe mosbesim ndaj fitimit, mirësjellje, ndershmëri dhe mbajtje fjale, mikpritje, respektim të rregullave të luftimit dhe dhënie mëshire ndaj kundërshtarit – jetën e të cilit një kalorës e merrte vetëm si mjet të fundit. Nuk e them këtë sepse mendoj se kalorësi mesjetar duhet të jetë standardi i ri për burrat modernë, por për të theksuar se burrat Maga do të dështonin, dhe do të dështonin keq, për t’u përmbajtur edhe vetë idealeve të tyre.
Por më 24 janar, pranë bordurës së ngrirë të Nicollet Avenue në Minneapolis, u shfaq një kuptim tjetër i burrërisë. Ishte një vizion i maskulinitetit që i përket burrave që kanë marrë kohën për të kuptuar se burrëria jeton në empatinë e thellë të atij që, si Alex Pretti, vendos trupin e vet përballë shtypjes së një dhunuesi, dhe jo në shërbim të saj.
Nuk e di se çfarë mendonte Pretti, nëse mendonte ndonjë gjë, për mosdhunën. Fakti që mbante armë sugjeron se, nëse kjo ishte etika e tij, ajo vlente vetëm deri në një pikë të caktuar. Minesota është një shtet ku vlejnë ligjet e mbajtjes së fshehtë të armëve, dhe mund të argumentohet se një person në situatën e Pretti-t mund të përfundonte me arsye se po sulmohej nga një milici e armatosur dhe të nxirrte armën që e mbante ligjërisht.
Në fakt, lobistët amerikanë të armëve e kanë mbrojtur me zë të lartë të drejtën e Pretti-t për të mbajtur armë, përballë sugjerimeve të administratës Trump se sjellja e një arme në protestë nënkuptonte qëllim të dhunshëm. Po ta kishte nxjerrë armën, do të ishte vënë në lëvizje një logjikë e parashikueshme. Akti i Kryengritjes mund të ishte aktivizuar dhe shtypja që do të pasonte do të ishte e shpejtë, brutale dhe e plotë.
Në vend të kësaj, reagimi i tij çoi në një sakrificë që mund ta ketë përkulur historinë dhe ndryshuar kursin e rezistencës. Pavarësisht nëse e bëri apo jo këtë llogari në mendjen e tij në atë moment, ai u mohoi autoriteteve çdo justifikim për shtypje masive.
Në fund, nga empatia për protestuesin tjetër, që ishte shtyrë dhe rrëzuar përtokë – dhe jo nga agresioni ndaj agjentëve federalë të emigracionit – ai rrezikoi jetën (ose, thjesht, jetën) në një akt kujdesi, jo në një akt dhune. Psikoanalistja dhe filozofja franceze Anne Dufourmantelle ka shkruar për këtë lloj pranimi të pangopur të rrezikut në librin e saj të vitit 2011 Éloge du risque (Lavdërim i rrezikut). “Ndoshta rrezikimi i ‘jetës së dikujt’ qëndron në kuptimin se ajo është absolutisht unike dhe, megjithatë, jo plotësisht e jona,” shkruan Dufourmantelle, e cila vdiq tragjikisht gjashtë vjet më vonë, duke rrezikuar jetën për të shpëtuar dy fëmijë që po mbyteshin në bregun jugor të Francës. “Ndoshta është vetë jeta ajo që rrezikon veten mbi ne.”
Ekziston një keqkuptim i zakonshëm se mosdhuna do të thotë pasivitet. E di që kjo nuk është e vërtetë, sepse jam rritur mes njerëzve që besonin thellësisht në një etikë të rezistencës aktive dhe jo të dhunshme. Këta ishin njerëz që e organizonin jetën e tyre rreth pasojave – sakrificave – që rridhnin nga përkushtimi për t’i parë të tjerët siç shohim veten, për një komunitet moral përtej një komuniteti identiteti. Si adoleshent, pretendoja se ky ishte edhe përkushtimi im. Si i rritur, mendoj se mosdhuna mund të jetë një zgjedhje aktive vetëm kur balanca e pushtetit mes palëve është e barabartë. Dhe nuk e di nëse, përballë zgjedhjes së Pretti-t, do të kisha guximin të rrezikoja dëmtimin tim. Por ky është lloji i guximit që duhet mësuar; dhe kërkon kohë për t’u mishëruar.
Vite më parë, më ra ndër mend se ajo që i shtyn kaq shumë të rinj të atomizuar dhe të zhgënjyer të kthehen drejt sharlatanëve të ekstremit të djathtë, që shesin versione të rreme dhe të fryra të asaj se çfarë do të thotë të jesh burrë, është fakti se shoqëria – veçanërisht shoqëria amerikane – u ka treguar vetëm një koncept të vetëm të fuqisë në botë.
Si rezultat, ata janë, siç shkruante antropologu francez Philippe Bourgois për të rinjtë që iu bashkuan bandave të drogës në Harlem në vitet 1980, në kërkim të respektit, në kërkim të të qenit të parë.
Unë pata fatin të më shërbehej një imazh tjetër. Fëmijëria ime ishte plot me darka të përbashkëta në Catholic Worker House, seminare për padrejtësitë shoqërore dhe protesta kundër luftës. Dëgjoja nënën time duke u lutur “Ati ynë, Nëna jonë, që je në qiell” pranë meje në meshë. Kisha miqësi të ngushta me gra dhe burra që më mësuan të jem emocionalisht i cenueshëm. U familjarizova me dyer të hapura dhe zemra të hapura, dhe me gatishmërinë për sakrificë që përkufizon komunitetin e vërtetë, ndryshe nga imitimet e tij të cekëta që gjenden online.
Ne, si shoqëri, duhet të ndryshojmë me zë të lartë historitë që u tregojmë djemve dhe të rinjve për llojin e burrit që kërkon kohë për t’u bërë. Alex Pretti kishte guxim dhe gjithçka që mitet dhe tregimet thonë se burrat duhet të synojnë. Ai i kishte këto sepse kishte empati, sepse kishte një etikë kujdesi. Xhelatët e tij kishin vetëm performancën e maskulinitetit – atë lloj që fitohet duke ushtruar dhunë dhe duke terrorizuar komunitete.
Në një rrugë të Minneapolis-it, u përplasën dy versione të maskulinitetit. Njëri i ankoruar te frika, tjetri te kujdesi. Për të rinjtë që hezitojnë se çfarë lloj burri të bëhen, me fjalët e Rapture: “Epo, ec ngadalë dhe ma merr dorën.”
*Alexander Hurst është kolumnist i Guardian Europe. Kujtimet e tij/ Përgatiti për botim: L.Veizi
