Izraeli nuk ka dhënë miratimin për hyrjen e një Force Ndërkombëtare të Stabilizimit në Rripin e Gazës, njoftoi sot zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
Deklarata e zyrës së Netanyahut kundërshton raportimet e mediave izraelite se kabineti i sigurisë i vendit kishte vendosur të lejonte që një pjesë e kësaj force të niste operacionet në një zonë të kufizuar të territorit bregdetar.
Raportimet për këtë vendim u publikuan pak para vizitës së Netanyahut te presidenti amerikan Donald Trump në fund të korrikut.
Një forcë shumëkombëshe paqeruajtëse ishte propozuar nga presidenti Trump vitin e kaluar si pjesë e planit të tij të paqes për Gazën.
Një armëpushim është zyrtarisht në fuqi në luftën në Gaza që prej tetorit 2025, por sulmet vdekjeprurëse vazhdojnë.
Izraeli ka shtuar së fundmi sërish sulmet ajrore, ndërsa ushtria thotë se ka goditur në mënyrë specifike komandantë të lartë të grupit militant Hamas.
Ndryshe nga Hamasi, Netanyahu deri tani ka refuzuar një plan të hartuar nga “Bordi i Paqes”, i krijuar nga Trump, për rendin e pasluftës në Rripin e Gazës dhe çarmatimin e grupit islamist.
Një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes lidhet me një dispozitë sipas së cilës armët e dorëzuara nga Hamasi do të vendoseshin në ruajtje, por do të mbeteshin nën kontrollin palestinez.
Izraeli, nga ana tjetër, kërkon që armët të largohen plotësisht nga Rripi i Gazës, duke u frikësuar se ato mund të bien sërish në duart e Hamasit.
“Izraeli e ka bërë të qartë se nuk do të ketë rindërtim në Rripin e Gazës përpara se Hamasi të çarmatoset plotësisht”, tha sot zyra e Netanyahut./mxh
