Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu lëshoi një paralajmërim të ashpër ndaj Iranit sot në 19 shkurt, duke deklaruar se nëse Teherani vendos të sulmojë Izraelin me raketa, do të përballet me një kundërpërgjigje shumë të rëndë.
Duke folur në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të ushtrisë izraelite (IDF), Netanyahu tha se Izraeli është i përgatitur për çdo skenar të mundshëm. “Ne jemi të gatshëm për çdo situatë. Dhe një gjë është e sigurt, nëse ajatollahët bëjnë gabimin të na sulmojnë, do të përballen me një përgjigje që nuk mund ta imagjinojnë”, u shpreh ai.
Deklaratat vijnë në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm. Shtetet e Bashkuara kanë shtuar praninë ushtarake në rajon, duke dislokuar forca të konsiderueshme detare dhe ajrore. Ndërkohë, SHBA-të dhe Irani kanë zhvilluar dy raunde bisedimesh për programin bërthamor iranian, por Shtëpia e Bardhë ka sinjalizuar se palët mbeten larg një marrëveshjeje.
Netanyahu theksoi se Izraeli po vepron krah për krah me aleatin historik Shtetet e Bashkuara, duke përmendur edhe takimin e tij të fundit në Uashington me presidentin amerikan Donald Trump. Sipas tij, gjatë atij takimi ai paraqiti qëndrimin e Izraelit mbi parimet udhëzuese për çdo negociatë të mundshme me Iranin.
Kryeministri izraelit nënvizoi gjithashtu një ndryshim në strategjinë e sigurisë së Izraelit. Ai deklaroi se vendi nuk do të ndjekë më politikën e “përmbajtjes” së kërcënimeve, por do veprojë. “Nëse nuk shkon në xhungël, xhungla vjen tek ti”, tha ai.
Duke folur për Gazën, Netanyahu përsëriti se Hamasi do të çarmatoset dhe se Rripi i Gazës do të demilitarizohet. “Nuk do të ketë rindërtim të Gazës para se territori të demilitarizohet”, deklaroi ai. Në të njëjtën ceremoni foli edhe ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, i cili theksoi se Izraeli do të veprojë kundër çdo kërcënimi. Ai përmendi operacionet kundër rebelëve Houthi në Jemen dhe veprimet ushtarake kundër objektivave iraniane, duke shtuar se Izraeli nuk do të lejojë më kërcënime.
Edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të IDF-së, Eyal Zamir, deklaroi se ushtria është në gatishmëri të plotë./mxh
