Media prestigjioze “New York Times” raporton se një ton mbeturinash, kryesisht nga Shqipëria, është përplasur në brigjet e Dubrovnikut në Kroaci pas një stuhie në Detin Adriatik. Rrymat e forta jugore sollën mbetjet kryesisht në Plazhin e Banjës dhe Qytetin e Vjetër, dy atraksionet kryesore turistike të qytetit, i cili njihet si “Perla e Adriatikut”.
Kryebashkiaku dhe shërbimet e qytetit kanë nisur menjëherë operacionin e pastrimit, duke përfshirë punonjësit e portit dhe të kanalizimeve. Ndërkohë, disa organizata riciklimi po vlerësojnë mundësinë e përdorimit të disa materialeve plastike për projekte të dobishme, por sasia e madhe e mbetjeve bën të vështirë rikuperimin e tyre në tërësi.
Mbeturinat plastike janë një problem i përsëritur për Dubrovnikun, qytet me 42,000 banorë që çdo vit pret 4.5 milionë turistë. Shkencëtarët paralajmërojnë se plastika në detet dhe oqeanet e Tokës është një kërcënim serioz për jetën detare, ndërsa vetëm një pjesë e vogël e mbetjeve riciklohet.
Ky rast tregon edhe njëherë ndikimin e mbetjeve që vijnë nga vendet fqinje dhe nevojën për masa më të forta ndërkombëtare për menaxhimin e mbetjeve plastike./mxh
