Last Updated on 04/11/2026 by EL
Përralla e dashurisë së modeles shqiptare Angela Martini dhe biznesmenit rumun Dragos Savulescu duket se ka marrë fund, pas afro nëntë vitesh së bashku, një martese, një djali dhe disa kthesave të forta në marrëdhënien e tyre.
Ata u njohën në vitin 2016 në Los Angeles dhe u martuan në Las Vegas në dhjetor të vitit 2017. Në vitin 2021 u bënë prindër të një djali, Kyree, përmes një nëne surrogate.
Por historia e tyre nuk ishte vetëm një romancë mes luksit dhe udhëtimeve. Një nga episodet më dramatike ndodhi në gusht të vitit 2021, kur Savulescu u arrestua në Mykonos, ndërsa po darkonte me Angelan dhe miqtë e tyre.
Rreth 30 policë morën pjesë në arrestimin e biznesmenit, i cili përballej me një çështje ligjore në Rumani. Angela ka treguar më vonë se ngjarja e kishte tronditur dhe se kishte këmbëngulur ta shoqëronte bashkëshortin në polici.
Pavarësisht kësaj periudhe të vështirë, çifti u shfaq i bashkuar dhe foli për mënyrën se si kjo përvojë kishte ndikuar në marrëdhënien e tyre.
Megjithatë, vitet e martesës sollën edhe kriza të tjera. Në tetor të vitit 2025, Angela paraqiti kërkesë për divorc, duke përmendur në dokumentet gjyqësore dallimet e papajtueshme.
Ndarja, megjithatë, nuk zgjati. Në dhjetor të atij viti, modelja tërhoqi kërkesën për divorc, ndërsa në shkurt të vitit 2026 konfirmoi se i kishte dhënë një tjetër mundësi martesës, duke zbuluar se mes tyre ishte rikthyer shkëndija.
Por pajtimi nuk rezultoi i përhershëm. Më 3 nëntor 2026, Angela konfirmoi se marrëdhënia me Savulescun kishte marrë fund.
Pas arrestimit që tronditi pushimet e tyre në Greqi, krizës martesore dhe pajtimit të papritur, historia e çiftit mbyllet me një tjetër ndarje. Megjithatë, ata do të mbeten të lidhur përmes djalit të tyre./et
