Aryna Sabalenka ka sjellë një tjetër element luksi në US Open, duke u shfaqur në fushë me një koleksion bizhuterish të dekoruara me gurë të çmuar dhe gjysmë të çmuar.
Tenistja bjelloruse, e cila edhe në Roland Garros kishte tërhequr vëmendjen me bizhuteri me vlerë rreth 140 mijë euro, këtë herë zgjodhi setin “Prisma”, një bashkëpunim me shtëpinë e bizhuterive Material Good.
Seti u pa gjatë ndeshjes së dysheve të përziera, ku Sabalenka garoi së bashku me Novak Djokovic. Vathët, gjerdani dhe byzylyku përmbajnë në total 127 karat gurë të ndryshëm, mes tyre safirë, turmalina dhe granatë, të kombinuar në forma dhe ngjyra të ndryshme.
Veçantia e koleksionit qëndron edhe te dizajni i gjerdanit. Pjesët ku vendosen gurët janë të hapura, duke i lejuar ata të lëvizin gjatë përdorimit. Sipas Material Good, ideja është ndërtuar mbi lëvizjet energjike dhe dinamike të Sabalenkës gjatë një ndeshjeje tenisi.
“Prisma” përbëhet pikërisht nga tri pjesët që zgjodhi numri 1 i botës për paraqitjen e saj: vathët, gjerdani dhe byzylyku. Vlera e tyre nuk është bërë publike, pasi artikujt shiten vetëm me kërkesë.
Pas ndeshjes, Sabalenka vazhdoi të promovonte bashkëpunimin duke vizituar dyqanin e Material Good në Manhattan, ku u prezantua zyrtarisht koleksioni. Edhe gjatë këtij eventi, ajo mbajti të njëjtat bizhuteri.
“Bizhuteritë janë një mënyrë për mua për të shprehur veten, si në fushë ashtu edhe jashtë saj”, tha Sabalenka, duke e lidhur stilin e saj personal me mënyrën se si shfaqet edhe si sportiste.
“Ky bashkëpunim më dukej si një hap i natyrshëm në evolucionin e stilit tim”, shtoi ajo.
Në aspektin sportiv, bashkëpunimi i Sabalenkës me Djokovic nuk pati një fund të gjatë në turne. Dyshja u eliminua në raundin e 16-shes së garës së dysheve të përziera./mxh
