Këta figura dashakeqe do të bëjnë gjithçka për të shmangur pagesën për dëmin që kanë shkaktuar, por llogaridhënia, herët a vonë, duhet t’i arrijë të dy.
Nga Jonathan Freedland
Nuk është tamam një rezolutë e Vitit të Ri dhe sigurisht që nuk është një parashikim. Më mirë ta mendoni si një shpresë, madje si një lutje për 12 muajt që vijnë. Qoftë viti i ardhshëm ai që do t’i shohë më në fund ata udhëheqës, që kanë bërë kaq shumë dëm vendeve të tyre dhe shumë më gjerë, të thirren për t’u përgjigjur. Le të jetë 2026 një vit llogaridhënieje.
Le të fillojmë me njeriun që ka shtrirjen më të madhe, falë pushtetit të jashtëzakonshëm që ushtron. Kështu funksionon sistemi zgjedhor amerikan: Donald Trump, i cili u rikthye në pushtet më pak se një vit më parë, do të përballet me gjykimin e votuesve pas 10 muajsh. Emri i tij nuk do të jetë në fletën e votimit, por mos u gaboni: zgjedhjet e mesmandatit të 3 nëntorit do të japin verdiktin për presidencën e dytë të Trumpit.
Një varg humbjesh në Kongres për partinë e tij do të ishte vetvetiu i kënaqshëm, duke i dhënë një goditje egos së tij gjigante, por do të kishte edhe rëndësi praktike. Pak kush parashikon që republikanët të humbasin kontrollin e Senatit, ku demokratët do të duhej të fitonin të paktën katër vende për të marrë drejtimin – pothuajse e pamundur, duke pasur parasysh gjeografinë e 35 vendeve që janë në lojë në nëntor. Por, në rrethana normale, do të ishte basti më i sigurt politik që Dhoma e Përfaqësuesve nuk do të jetë më në duart e republikanëve pas një viti.
Një kthesë e tillë do ta shpërbënte aurën e pathyeshmërisë që e ka rrethuar Trumpin që nga fitorja ndaj Kamala Harris, duke i dhënë atij mundësinë të frikësojë e të shantazhojë institucione të shumta amerikane, përfshirë një pjesë të madhe të medias, që t’i dorëzojnë më shumë pushtet sesa i takon. Do ta kthente në një “rosë të çalë”, të paaftë për të miratuar ligje të reja përmes një dhome armiqësore.
Mbi të gjitha, do ta vinte Trumpin përballë një institucioni që ka si vullnetin, ashtu edhe fuqinë për ta thirrur në llogari: një Dhomë Përfaqësuesish e kontrolluar nga demokratët do të kishte oreksin dhe mjetet për një mbikëqyrje serioze. E pajisur me të drejtën e thirrjes së detyruar, ajo mund të hetonte gjithçka, nga kostoja e tarifave të Trumpit për taksapaguesit amerikanë, deri te modeli tronditësisht i hapur i korrupsionit dhe pasurimit personal që e ka karakterizuar këtë administratë. Dhe në mëngë do të kishte gjithnjë kërcënimin e vazhdueshëm të një procesi të tretë shkarkimi (impeachment).
Pra, nëntori mund të sjellë vërtet një llogaridhënie për Trumpin, dhe pikërisht për këtë arsye ai nuk do të ndalet para asgjëje për ta shmangur një rezultat të tillë. Këtu vlen paralajmërimi i mësipërm: “në rrethana normale”. Trumpi do t’i bëjë rrethanat anormale, nëse kjo është e nevojshme për të mbajtur Dhomën. Kjo përpjekje ka nisur tashmë, qoftë përmes hartave elektorale të manipuluara në Teksas, qoftë përmes përpjekjeve për ta bërë votimin më të vështirë në zonat demokrate në të gjithë vendin.
Ka shenja inkurajuese se institucionet kanë filluar të reagojnë – mjafton të përmendet vendimi i Gjykatës së Lartë javën e kaluar, që kufizoi përdorimin e trupave amerikane nga Trumpi në rrugët e qyteteve të drejtuara nga demokratët – por kjo do të jetë një nga betejat e vitit 2026, ndërsa presidenti shtrin çdo fije force për të shmangur llogaridhënien që do të sillte një humbje në vjeshtë.
Në këtë drejtim, ai ka një “vëlla shpirti” te njeriu që priti këtë javë në Mar-a-Lago, në takimin e tyre të gjashtë dhe të fundit për vitin 2025: Benjamin Netanjahu. Me këtë ndryshim: rreziku elektoral që përballet Netanjahu, mandati i parë i të cilit si kryeministër i Izraelit filloi në vitin 1996, është më i drejtpërdrejtë. Diku mes tani dhe tetorit, izraelitët do t’u drejtohen kutive të votimit në një garë që mund ta largojë atë përfundimisht nga pushteti.
Thelbësore do të jetë thirrja e Netanjahut në llogari. Shumëkush në botë do të dëshironte që kjo të ndodhte për vrasjen e dhjetëra mijëra palestinezëve në Gaza, për bombardimet ajrore të pandërprera që e kanë lënë Rripin në gërmadha dhe për bllokimin e ndihmës humanitare. Por brenda Izraelit, llogaridhënia që kërkohet më fort lidhet me dështimet vdekjeprurëse të 7 tetorit 2023: me vetëkënaqësinë dhe gabimet strategjike që lanë të pambrojtura një sërë komunitetesh jugore dhe qindra njerëz në një festival muzikor, të ekspozuar ndaj sulmit vrasës të Hamasit.
Zyrtarë izraelitë në çdo nivel, civilë dhe ushtarakë, e kanë paguar këtë katastrofë me postet e tyre – përveç njërit. Vetëm Netanjahu nuk ka pranuar kurrë as edhe përgjegjësinë më të vogël, e jo më të kërkojë falje, për faktin se dita më vdekjeprurëse në historinë e vendit ndodhi nën drejtimin e tij. Ai ka refuzuar të krijojë një komision hetimor, siç ka ndodhur shpejt pas fatkeqësive të mëparshme, duke preferuar në vend të tij një hetim të rremë të mbushur me besnikë – ekuivalente, siç e tha babai i një pengu të vrarë, me “t’i kërkosh ajsbergut të zbulojë kush e fundosi Titanikun”. Kështu, e vetmja mundësi që izraelitët kanë për ta thirrur në llogari njeriun që i ka sunduar për 18 nga 30 vitet e fundit, është kutia e votimit.
Pesha e kësaj është jashtëzakonisht e madhe. Shumë aktivistë izraelitë kanë frikë se kjo zgjedhje mund të jetë shansi i fundit për të shpëtuar institucionet kyçe demokratike, të cilat kanë qenë për një kohë të gjatë nën sulm të vazhdueshëm nga Netanjahu. Ashtu si Trumpi në SHBA apo Viktor Orbani në Hungari – i cili gjithashtu përballet me zgjedhësit këtë vit – Netanjahu ka qenë në një luftë gjithnjë e më të ashpër me gjyqësorin dhe median e pavarur, duke i shtrënguar gjithnjë e më fort, me shpresën se do të mbyten. Dhe, ashtu si miku i tij në Uashington, Netanjahu nuk do të ndalet para asgjëje për t’ua mohuar kundërshtarëve fitoren elektorale: i gjykuar për akuza korrupsioni, atij i duhet të qëndrojë në pushtet për të mos përfunduar në burg. Llogaridhënia, si politike ashtu edhe ligjore, e tmerron.
Dhe ai nuk është i vetmi udhëheqës në rajon që ka frikë nga zemërimi i popullit të vet. Iranianët janë përpjekur vazhdimisht ta shfryjnë zemërimin ndaj regjimit që sundon vendin e tyre prej 47 vitesh, vetëm për t’u shtypur, shpesh brutalisht. Protestat kanë shpërthyer sërish ditët e fundit, me autoritetet që i janë drejtuar forcës vdekjeprurëse edhe më shpejt se më parë – megjithëse ka shenja inkurajuese se disa pjesëtarë të forcave të sigurisë hezitojnë të angazhohen në shtypjen e zakonshme. Prej vitesh, shumë brenda Iranit kanë humbur shpresën ndaj një regjimi të vendosur të shndërrohet në një fuqi rajonale përmes sponsorizimit të terrorit dhe kaosit në Lindjen e Mesme e më gjerë, ndërsa iranianët e zakonshëm paguajnë çmimin me sanksione dhe dhimbje ekonomike. Llogaridhënia për këtë është shtyrë, më shumë se një herë. Por kërkesa për ndryshim është e fortë dhe, siç thotë studiuesi i Iranit Ali Ansari, “herët a vonë diçka do të duhet të çahet”.
Në rrugë ose në kutinë e votimit, llogaridhënia mund të vijë në vitin 2026. Në Britani, qeveria laburiste ka arsye të forta për ta pasur frikë, duke u përgatitur për humbje të mëdha në të gjitha drejtimet: ndaj Plaid Cymru në Uells, Partisë Kombëtare Skoceze në Skoci, të Gjelbërve – veçanërisht në Londër – ose Reform UK pothuajse kudo. Në një botë të drejtë, Nigel Farage do t’u trembej votuesve, i shqetësuar se ata do ta thërrisnin në llogari jo vetëm për të kaluarën e tij të errët, por edhe si njeriun që shërbeu si ungjilltari kryesor i vendimit më katastrofik kombëtar që nga Mynihu, pra referendumi për Brexit-in, i cili shënon 10-vjetorin në qershor.
E pranoj se është pak e mundshme që viti 2026 ta shohë Farage-in të paguajë për rolin e tij kryesor në këtë akt të vazhdueshëm vetëdëmtimi kolektiv. Por, në fund, Trumpi, Netanjahu, Orbani dhe të tjerët duhet të përballen me llogaridhënien për dhimbjen që kanë shkaktuar dhe dëmin që kanë bërë. Le të jetë ky viti.
Jonathan Freedland është kolumnist i “The Guardian”/ Përgatiti për botim: L.Veizi
