Ka artistë që ngjiten në skenë për të kënduar, dhe ka nga ata që e jetojnë atë si një tjetër dimension. Alis i përket atyre që e përjeton deri në qeliza emocionin që dhuron muzika dhe skena. E kam takuar në audicionet e “X Factor-it” dhe e kam ndjekur hap pas hapi deri në momentin kur triumfoi me kupën e programit të talenteve. Sot, Alis është një artist që ka mbledhur kupa dhe trofe në rrugëtimin e tij artistik, por kur kthehem pas e kujtoj ende atë djaloshin e butë, paksa të ndrojtur, që pas çdo performance më thoshte, “Shiko, po më dridhen duart”. Sepse vetëm artistët si Alis e përjetojnë kaq thellësisht emocionin në dimensionin magjik që ofron skena. I dalë nga emocionet e para të një ‘talent show’ dhe i rritur mes dritave, dyshimeve dhe besimit të fituar me kohë, ai po prek një prej ëndrrave më të mëdha për çdo artist të ri: skenën e madhe të “Eurovision-it”. Me një rrëfim që lëviz mes sinqeritetit dhe ambicies, detaje të këngës “Nan” që ruan shpirtin e saj në gegërisht, Alis flet për “Bordo” jo vetëm për rrugëtimin e tij, por edhe për përballjet me veten, emocionin e skenës, si një artist që po mëson të besojë fort në zërin e tij.
Alis, si është të jetosh me ëndrrën për të shkuar në skenën e madhe të “Eurovision-it”?
Është fiks “ëndërr”! Nuk di si ta shpjegoj, po të flas në këpucët e një artisti të ri, është ndjesia më e bukur.
Pas festivalit nise një udhëtim nëpër disa qytete europiane, si ishte kjo eksperiencë?
Përveçse ishte eksperiencë shumë e bukur, pata fatin të njoh disa njerëz të mrekullueshëm që kishin ardhur enkas prej shteteve të tjera për të më takuar dhe të jem i sinqertë nuk e prisja diçka të tillë. Ishte diçka që realisht më mbushi emocionalisht.
Ndërkohë je takuar edhe me konkurrentët e tjerë, disa nga rivalët e tu, si kanë qenë këto takime?
Këtë vit të paktën, nuk e di si ka qenë harmonia vitet e tjera mes artistëve ndërmjet njëri-tjetrit, të gjithë kanë qenë të shoqërueshëm, të hapur dhe me energji pozitive. Deri tani kanë qenë perfekte, uroj që të vazhdojnë kështu.
Teksti i këngës “Nan” është në gegërisht, a do të përkthehet në anglisht?
Po është në dialektin gegë. Jo, nuk është se e kam provuar shumë, por të jem i sinqertë nuk del e njëjta këngë, nuk merr atë impaktin siç e ka në gjuhën shqipe. Mendoj se është në mënyrën më perfekte kështu.
Përsa i takon anës skenike, si do të jetë performanca?
Mund të them që deri në 80 për qind të imazhit skenik e kemi krijuar si ide dhe koncept, por do të jetë surprizë.
Më kujtohet Alis në “X Factor” i ndrojtur nga emocionet, me duart që i djersinin, sa je rritur tani artistikisht?
Nuk e di, të paktën jam rritur mjaftueshëm që të mos më dridhen më duart, kjo është kryesorja. Të jem i sinqertë janë pak vite, por që jam krenar për gjërat që kanë ndodhur.
Nga emocionet e para në ‘X Factor’ te skena e Eurovision-it:
Sa mendon se ky program e vulosi të ardhmen tënde artistike?
Mendoj se ky është programi që mua më lindi si artist, e kam thënë atëherë dhe do të vazhdoj ta them. Nuk e besoj se do ta kisha të mundur që në çdo skenë pas “X Factor” të kisha të njëjtën siguri, të njëjtën pjekuri artistike, por edhe nga ana vokale absolutisht. I jam mirënjohës përjetë.
Cilat janë tre mësimet që nxore nga ky ‘talent show’?
Mësimi i parë është që përveç se të lirohem në skenë, t’i besoj vetes, sepse kjo është ndoshta pjesa më e vështirë për t’u kapërcyer nga artisti. Krijon jashtë mase pikëpyetje në momentin që je në skenë, a po dukem mirë apo jo? Dhe pjesa më e rëndësishme ishte: lëri teoritë, lëri statistikat, lër çdo gjë. Skena në momentin e parë është për çdo artist, ai është momenti i vetëm që askush nuk mundet të bëjë gjë dhe e gjithë bota është e jotja. Ky ka qenë mësimi më i madh për mua, kam mësuar të shijoj skenën. Absolutisht edhe siguria dhe ana teknike. Por që të bëj qejf në skenë, ky ka qenë mësimi më i madh, se duhet të dish edhe si ta bësh.
Alis, çfarë përfaqëson për ty skena, është një arratisje nga realiteti apo një realitet më i fortë?
Mendoj që është një realitet më i fortë! Skena është një lloj adrenaline e pazëvendësueshme për çdo artist. Ose për mua krijohet ajo adrenalina që kam nevojë ta përjetoj sa më shpesh të jetë e mundur.
Sa e vështirë është të mbash identitetin tënd artistik në një botë muzikore që ndryshon kaq shpejt?
Të jem i sinqertë nuk është e thjeshtë, është shumë e vështirë të gjesh vetveten, të gjesh mënyrën që të shfaqësh anën tënde të brendshme si individ. Duhet ta shfaqësh si nga ana muzikore dhe stili që i përshtatet vokalit. Bëhet një miks që të krijohen 3 miliardë pikëpyetje, që të bëjnë të mos jesh i sigurt cila është rruga. Unë bashkë me producentin tim kemi rënë në një konkluzion që u bë shkak edhe për këngën “Nan”: ne kemi vendosur të eksperimentojmë, të ndjehemi mirë, të kalojmë mirë në studio, t’i besojmë gjësë që ka dalë. Ta shohim çfarë ofron e ardhmja pa bërë një statistikë shumë të thellë.
Nga emocionet e para në ‘X Factor’ te skena e Eurovision-it:
Cili është njeriu që do t’i jesh mirënjohës për zbulimin e talentit tënd?
Fillojmë te prindërit, sepse ata më kanë dëgjuar duke kënduar për herë të parë dhe vendosën të ndjek shkollën e muzikës, ndërkohë që unë nuk isha koshient dhe doja vetëm të luaja futboll. Pastaj ishte vëllai, i cili ishte ai që më mori për dore dhe më prezantoi me muzikën live, me skenën. Aty rashë në dashuri me komplet adrenalinën që të fal skena dhe me pjesën e publikut, që atëherë nuk u shkëputa më. Dhe sa i përket rrugës së sotme si këngëtar, është absolutisht “X Factor”.
Çfarë fshihet pas syzeve të Alis, në skenë dhe në jetën e përditshme po njësoj? Pse kjo zgjedhje?
Të jem i sinqertë nuk fshihet asgjë, thjesht më pëlqen, jam shumë i apasionuar pas aksesorëve. Për sa i përket skenës ndodh një fenomen që më vjen sikur ndryshoj kur kam syze, mund të jetë thjesht psikologjike ose jam supersticioz, por ndodh diçka që më vjen një energji e mirë.
Kanë një simbolikë aksesorët e tjerë, unaza, varëset?
Jo, thjesht më pëlqejnë shumë aksesorët, më pëlqejnë detajet.
Nga emocionet e para në ‘X Factor’ te skena e Eurovision-it:
Çfarë të frymëzon jashtë skenës muzikore?
Tani po flas si shkodran, ne na frymëzon çdo gjë, mjafton të mblidhemi me njerëzit që i duam, ajo është rimbushja e baterisë, sepse jemi mësuar gjithë kohën të mblidhemi, të këndojmë, qeshim, aktrojmë ose të tregojmë batuta. Pra, çdo gjë na mbush atë ndjesinë e mirë.
Pas Eurovision-it, cilat janë planet e tua? Kemi një koncert, një album muzikor, çfarë ke menduar?
Nuk dua të tregoj shumë, por mund të jetë duke ardhur një album./mxh
