Ish-deputeti demokrat, Edmond Spaho, ka reaguar lidhur me dy prej çështjeve të ditës.
Spaho shprehet përmes një postimi në rrjetet e tij sociale se akuzat për trafik armësh nga Shqipëria duhen parë më thellë, mbi rolin e kompanisë shtetërore “KAYO”, ndërsa ngre dyshime për kapacitetin e prodhimit.
Po ashtu, Spaho është shprehur se kryeministri Edi Rama duhet t’u shpjegojë qytetarëve se çfarë po ndodh me stabilitetin financiar të vendit dhe disiplinën financiare buxhetore, ndërsa përballet me ngërçin e pagave në drejtësi.
Reagimi i plotë:
Qyfyre të shtetit, qyfyre!
1. Më së fundi u gjet, KAYO bën kontrabandë armësh! Këtë e bën me paratë e shqiptarëve. Të ngremë komision hetimor për të hetuar këtë aferë, pasi KAYO nuk prodhon asnjë armë në Shqipëri.
Në të vërtetë, KAYO vështirë se do të prodhojë armë ndonjëherë. Ajo në radhë të parë do të bëjë tregti/kontrabandë armësh sipas interesave të organizatave ku ne jemi anëtarë dhe që kanë urdhëruar qeverinë shqiptare të krijojë këtë entitet.
P.sh. sot mësuam nga opozita që KAYO ka blerë armë në një shtet afrikan, u ka ndërruar atyre etiketat, i ka pajisur me dokumente sikur armët janë prodhuar në Shqipëri dhe me to ka furnizuar Ukrainën.
Paratë për këto transaksione i paguajnë ata që kanë urdhëruar të krijohet KAYO nëpërmjet buxhetit të BE-së për blerje armësh për Ukrainën.
Shteti afrikan që prodhon armë nuk do që të bëhet publike që armët e tija shkojnë në Ukrainë, sepse më pas do të ketë të bëjë me qeverinë ruse dhe forcat e Ëagner-it.
Të njëjtën gjë bën Serbia. Nuk çon armë direkt në Ukrainë, por i çon në një vend të tretë, i cili pastaj i eksporton në Ukrainë.
Skema është e njëjtë me fishekët kinezë të MEIKO-s, që u hiqej ambalazhi kinez, paketoheshin si prodhim shqiptar dhe çoheshin në Afganistan dhe Irak për kallashët e atyre që luftonin kundër talebanëve.
Në këtë rast, KAYO nuk ka bërë kontrabandë armësh, por shërbim ndaj partnerëve tanë dhe ka dhënë ndihmë për luftën në Ukrainë.
Ky Ron Yefet është si Henry Tome. Pa këta nuk lëvizin armët.
KAYO duket sikur është për t’u lavdëruar, apo jo?
E gjithë kjo histori është “u mbars mali e polli një mi”, si dhe “kur s’ke punë, tund derën”.
2. Sot GJKKO-ja iu drejtua Gjykatës Administrative duke hapur një çështje penale ndaj ekzekutivit shqiptar që nuk pranon të rritë pagat e gjykatësve dhe prokurorëve nga 70.000 euro në vit në 120.000 euro në vit.
Kam frikë që Edi Rama do të çedojë dhe do t’i miratojë sipas kërkesës së institucioneve të pangopura të drejtësisë, megjithëse ai ka një armë shumë të fortë në duar.
Ashtu sikurse institucionet e drejtësisë iu drejtuan prokurorëve dhe gjyqtarëve, Rama mund t’u drejtohet qytetarëve shqiptarë.
Rama t’u shpjegojë qytetarëve të tij që këtu po luhet me stabilitetin financiar të vendit dhe disiplinën financiare buxhetore. Buxheti dhe stabiliteti financiar nuk mund të përballojnë rritje pagash të sistemit të drejtësisë nga 70.000 euro në 120.000 euro në vit, si dhe të paguajnë detyrime të prapambetura për sistemin e drejtësisë nga viti 2023.
Per rrjedhojë, ai të njoftojë qytetarët shqiptarë që, duke filluar nga viti 2027, nuk do të ketë rritje pensionesh sepse buxheti nuk mund të përballojë edhe rritje pensionesh, edhe rritje ekstravagante pagash për prokurorët e gjyqtarët.
Paralelisht, të njoftojë që, duke filluar nga 1 janari 2027, pagat e administratës publike do të ulen me 10% në mënyrë që të kursehen fondet e nevojshme për rritjen e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve nga 70.000 euro në 120.000 euro në vit.
Më pas, le të jenë qytetarët ata që do të vendosin se çfarë do të bëjnë me sistemin e drejtësisë./mxh
