-Si u motivuan skenat e romaneve dhe filmave-
Nga Leonard Veizi
Mbetet një skenë e romancës dhe e vrasjeve misterioze. Pikërisht sepse tërësia e tij është diçka jashtë standardit — ose, të paktën, jashtë një standardi të lartë që quhet ndryshe luks. Bëhet fjalë për trenin Orient Express…
…Ai është një tren i rrallë, me lokomotivë dhe vagonë që nuk krahasohen me asgjë tjetër. Por magjepsja dhe historia e tij e pasur i janë kushtuar shpesh intrigave të librave dhe filmave, si edhe dokumentarëve televizivë. Ndaj duket si vendi ideal për një letërsi të verdhë, e aq më tepër për skenarin e një filmi thriller.
Po përse këto ngjarje pikërisht në këtë tren?
Orient Express ishte një tren për distanca të gjata, linja e të cilit funksionoi nga viti 1883 deri në vitin 2009. Dy qytetet më të lidhura me të ishin Parisi dhe Stambolli, si dy pikat përfundimtare të itinerarit.
Vetë përmendja e Orient Express krijon idenë e pasurisë dhe luksit. Gjatë “Belle Époque”, itinerari i tij ndryshoi disa herë, por zakonisht kalonte në qytete të mëdha evropiane, si Vjena, Budapesti, Bukureshti dhe Beogradi. Treni ishte i njohur për komoditetin e tij luksoz dhe ishte një nga mjetet më të preferuara të udhëtimit për turistët e pasur, mbretër, diplomatë, si edhe… spiunë.
Natyrshëm, Orient Express ishte më shumë se një tren: një lidhje simbolike mes Evropës dhe Azisë. Pikërisht për këtë u përjetësua në letërsi dhe kinema.
“Treni i Stambollit” dhe Orient Express
Filmi dramatik amerikan i vitit 1934 me regji të Pol Martin dhe me aktorët Hedher Einxhëll, Norman Foster dhe Ralf Morgan bazohet në romanin e vitit 1932 “Stamboul Train” nga Grejëm Grin, i pari prej veprave të tij të përshtatura për ekran. Filmi u prodhua dhe shpërnda nga “Fox Film”.
Romani “Stamboul Train” ose “Treni i Stambollit” është një nga veprat e hershme të rëndësishme të Graham Greene. Ngjarjet zhvillohen gjatë një udhëtimi me tren nga Ostendi në Stamboll. Në SHBA, libri u botua me titullin Orient Express.
Ngjarja: gjatë udhëtimit tre-ditor nga Ostendi drejt Konstandinopojës, jetët e disa pasagjerëve ndërthuren në mënyrë fatale. Personazhet përfshijnë Koral Masker, një vajzë e re; Koltin Majet, një biznesmen i pasur hebre; Richard John, një mjek misterioz; gazetaren Mejbëll Uorren; dhe Josef Grunlih, një hajdut dhe vrasës dinak.
Në hapësirën e mbyllur të trenit, ku identitetet fshihen dhe zbulohen, historia zhvillohet mes tensionit, dyshimit dhe emocioneve njerëzore.
“Vrasje në Orient Express”
Në vitin 1929, Orient Express ngeci për pesë ditë në një stacion të vogël turk për shkak të një stuhie dëbore. Ky episod frymëzoi më vonë Agatha Christie-n për romanin e famshëm “Murder on the Orient Express”, botuar në vitin 1934.
Në realitet, një ngjarje kriminale kishte ndodhur më parë: drejtoresha e një shkolle mode në Bukuresht, Maria Farkasanu, u grabit dhe u hodh nga treni në Austri. Vrasësi, Karl Strasser, u identifikua përmes një sendi të vjedhur që u gjurmua në treg.
Romani i Christie-t, i përkthyer në shqip si “Vrasje në Orient Express” nga Virgjil Muçi, u adaptua më vonë në film nga Keneth Branë, me aktorë si Tom Bejtmën, Penélope Kruz Mishel Faifer dhe Xhoni Dep.
Ngjarja: detektivi Erkyul Puaro ndodhet në tren kur ndodh një vrasje misterioze gjatë një udhëtimi të bllokuar nga dëbora. Të gjithë pasagjerët janë të dyshuar dhe secili fsheh një sekret. Hetimi bëhet një enigmë komplekse morale dhe logjike.
“Nga Rusia me dashuri”
Gjatë Luftës së Ftohtë, Orient Express mbeti një nga lidhjet e pakta mes Lindjes dhe Perëndimit. Në vitin 1950, një incident misterioz mbi tren — vdekja e një diplomati amerikan pranë Salzburgut — thuhet se frymëzoi Ian Fleming për romanin “From Russia with Love”, prodhim i vitit 1957.
Shumë nga ngjarjet zhvillohen në Stamboll dhe në ambientet e trenit Orient Express. Romani u bë më pas film i suksesshëm i serisë James Bond në vitin 1963, me Shon Konëri në rolin kryesor.
“Romancë në trenin Orient Express”
Filmi britanik i vitit 1985 “Romance on the Orient Express” është një dramë romantike me regji të Lawrence Gordon Clark.
Ai ndjek historinë e Lilit, një gazetare amerikane që udhëton nga Venecia në Paris, ku takon ish-të dashurin e saj, Aleksin. Ribashkimi i tyre hap plagë të vjetra dhe sekrete të së kaluarës, ndërsa udhëtimi me tren bëhet një hapësirë reflektimi dhe emocioni.
Pak histori – projekti i trenit luksoz
Orient Express nisi udhëtimin e tij të parë më 4 tetor 1883 nga stacioni “Gare de l’Est” në Paris drejt Stambollit. Në bord ndodheshin 30 të ftuar të përzgjedhur nga Zhorzh Nagelmakers, themeluesi i kompanisë “Wagons-Lits”.
I frymëzuar nga trenat luksozë amerikanë të Pullman-it, ai krijoi në Evropë një sistem transporti të klasit të parë, me vagonë gjumi dhe shërbime elitare.
Megjithatë, udhëtimi i parë u ndërpre në Bukuresht, pasi rrjeti hekurudhor në Serbi dhe Bullgari nuk ishte përfunduar ende. Udhëtarët duhej të vazhdonin me anije drejt Stambollit.
Vetëm në vitin 1888 linja u kompletua, duke mundësuar një udhëtim të plotë prej rreth 3,000 kilometrash në 68 orë.
Në kulmin e tij, rrjeti i Orient Express përfshinte 29 linja që lidhnin Londrën, Parisin dhe Stambollin me Athinën, Damaskun, Teheranin, Madridin, Lisbonën, Romën dhe Nisin.
Fundi i epokës
Në vitet ’60–’70, konkurrenca e aviacionit dhe trenave të shpejtë e dobësoi ndjeshëm Orient Express-in. Linja Paris–Stamboll u ndërpre, ndërsa më vonë u krijua një variant luksoz “Venice Simplon-Orient-Express”, me udhëtime të kufizuara dhe çmime shumë të larta.
Më 14 dhjetor 2009, Orient Express pushoi së funksionuari dhe u hoq nga rrjetet zyrtare hekurudhore evropiane.
Sot konsiderohet si një “viktimë” e trenave të shpejtësisë së lartë dhe linjave ajrore me kosto të ulët.
Megjithatë, Orient Express mbetet i ngulitur fort në kujtesën kulturore si një simbol i një epoke ku udhëtimi ishte po aq i rëndësishëm sa destinacioni — një legjendë e vërtetë.
