Një 36-vjeçar me origjinë shqiptare, i identifikuar si Gjovalin Lazri, është vrarë gjatë natës në Baldissero d’Alba, në provincën e Cuneos, Itali.
Sipas hetimeve paraprake, Lazri dyshohet se ishte pjesë e një grupi prej të paktën pesë personash që kishin shkuar në një kantier ndërtimi me qëllim vjedhjen e materialeve. Grupi dyshohet se kishte hyrë në pronën e një 35-vjeçari, Roberto Mollo, ku ishin grumbulluar materiale ndërtimi, pajisje dhe mjete pune.
Mollo, i cili ndodhej i vetëm në vendin e ngjarjes, thuhet se ka dëgjuar zhurma gjatë natës dhe ka marrë armën. Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, ai ka qëlluar disa herë në drejtim të personave që ndodheshin jashtë.
Ndërsa pjesëtarët e tjerë të grupit dyshohet se janë larguar, Lazri është goditur nga të shtënat. Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve të urgjencës, 36-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë.
36-vjeçari jetonte në Torino me familjen
Gjovalin Lazri ishte me origjinë nga Shqipëria, por prej vitesh jetonte në Torino, në periferi të qytetit, së bashku me partneren dhe fëmijën e tyre. Sipas avokates së familjes, Roberta Sisimbro, të afërmit e viktimës janë të tronditur nga ngjarja.
Lazri kishte precedentë të mëparshëm për vepra penale kundër pasurisë, por avokatja e tij familjare ka deklaruar se ai po përpiqej të rikthehej në një jetë normale dhe punonte rregullisht. Ai administronte një lokal në Corso Taranto në Torino, ku jetonte me familjen.
Roberto Mollo nën hetim për vrasje
35-vjeçari Roberto Mollo, pronar i një kompanie transporti, është aktualisht nën hetim në gjendje të lirë për vrasje me dashje. Arma me të cilën qëlloi ishte e regjistruar dhe mbahej në mënyrë të ligjshme, por sipas autoriteteve, ai nuk duhej ta mbante jashtë banesës së tij.
Mollo ka deklaruar se ndodhej në kantier për të ruajtur materialet e ndërtimit, me vlerë disa mijëra euro. Mes tyre kishte tjegulla, çimento, pllaka, mjete pune dhe skela.
Hetuesit dyshojnë se grupi kishte mbërritur rreth orës 02:30 të mëngjesit për të kryer vjedhjen. Megjithatë, deri tani nuk janë gjetur prova të mjaftueshme që të dokumentojnë plotësisht lëvizjet e grupit.
Hetimet po drejtohen nga karabinierët e Bra-s dhe Njësia Operative e Cuneos. Zona ku ndodhi ngjarja është izoluar, ndërsa nuk ka kamera sigurie që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të dinamikës.
Ndërkohë, hetuesit kanë marrë dëshmitë e banorëve të zonës për të rindërtuar momentet para dhe pas të shtënave./ad
