Protestat në Tiranë kanë ndezur debat edhe në botën e showbiz-it shqiptar, ku artistët po reagojnë përmes mesazheve të forta në rrjetet sociale. Nga shqetësimi i Xhensila Myrtezajt për të ardhmen e fëmijëve të saj, te dënimi i dhunës nga Capital T dhe apeli i Bes Kallakut për të mos dëmtuar bizneset private, personazhet e njohur kanë zgjedhur të mos qëndrojnë indiferentë ndaj situatës. Ndërsa Çiljeta Xhilaga ka ndarë një reflektim mbi botën ku do të dëshironte të jetonte, reagimet e tyre sjellin në vëmendje shqetësimet për të ardhmen, lirinë e protestës dhe pasojat e tensioneve në kryeqytet.
Xhensila Myrtezaj ka shprehur shqetësimin për atë që po ndodh në vend, duke u ndalur te pasiguria që përjetojnë të rinjtë dhe sakrificat e prindërve për t’u siguruar fëmijëve një të ardhme më të mirë.
“Sot më dhemb ajo që shoh në vendin tim. Më dhemb kur shoh të rinj që në vend të ëndrrave për të ardhmen, mbajnë mbi supe pasiguri, zhgënjim dhe frikën se nesër nuk do të kenë një vend këtu.
Më dhemb për prindërit që sakrifikojnë gjithë jetën për fëmijët e tyre. Për njerëzit që punojnë ndershmërisht dhe përsëri e kanë të vështirë të jetojnë me dinjitet.
Unë jam artiste. Jam nënë. Por mbi të gjitha jam qytetare e këtij vendi. Dhe nuk dua që një ditë fëmijëve të mi t’u duhet të largohen nga Shqipëria për të pasur atë që duhet të ishte e mundur këtu. Sepse një vend nuk është vetëm toka ku lindim. Është edhe shpresa që na jep për të qëndruar. Zëri i qytetarëve dhe i studentëve meriton të dëgjohet, jo të shuhet. Me zemër, me dhimbje dhe me shpresë për Shqipërinë tonë”, shkroi këngëtarja.
Capital T ka dënuar dhunën ndaj qytetarëve, duke theksuar se e drejta për të protestuar dhe për të shprehur lirisht mendimin nuk duhet të përballet me brutalitet.
“Dënojmë ashpër çdo akt dhune dhe brutaliteti policor ndaj qytetarëve. Dhuna nuk mund të jetë kurrë përgjigje ndaj protestës dhe shprehjes së lirë”, shkroi reperi.
Çiljeta Xhilaga ka ndarë një mesazh reflektues, përmes të cilit shpreh dëshirën për një botë më të drejtë, ku njerëzit të mos jetojnë me frikë dhe ku çdo fëmijë të ketë mundësinë të ndërtojë të ardhmen e tij.
“SA DO TË DOJA TË JETOJA NË NJË BOTË TJETËR…
Ndonjëherë e pyes veten…
A është vërtet kaq e vështirë të ndërtojmë një botë ku njeriu të mos ketë frikë nga njeriu?
Një botë ku të mos lindim për të luftuar për mbijetesë, por për të zbuluar mrekullinë e të qenit gjallë.
Sa do të doja të jetoja në një botë ku paqja të mos ishte një ëndërr e njerëzve të lodhur, por gjendja natyrore e njerëzimit.
Ku askush të mos flinte i uritur, ndërsa diku tjetër ushqimi hidhet. Ku një fëmijë të mos trashëgonte varfërinë e prindërve, por mundësinë për të ndërtuar të ardhmen e vet.”
Ndërsa Bes Kallaku ka shprehur mbështetjen për protestat dhe përballjen me pushtetin, por ka kundërshtuar dëmtimin e pronës private dhe bizneseve, duke bërë thirrje që kauza e protestuesve të mos cenohet nga akte të tilla.
“Jam në krah të çdo proteste apo përballjeje me çdo pushtet. Por s’jam kurrsesi dakord me shkatërrimin e pronës apo biznesit privat të dikujt që e ka ngritur me gjak e me mund.
Studentët tanë nuk janë ata që dëmtojnë pronat private, që thyejnë e vjedhin. Studentët tanë duhet të jenë shpresa dhe e ardhmja e këtij vendi!
Mos lejoni që zëri i protestuesve të vërtetë të mbytet nga veprimet e atyre që nuk kanë asnjë lidhje me kauzën e protestës!
Stop dëmtuat bizneset!
Sepse pas çdo prone të dëmtuar mund të jetë sakrifica e një familjeje. Pas çdo padrejtësie nuk mund të krijojmë një padrejtësi tjetër.
Protestojmë për një Shqipëri më të mirë, por mos shkatërrojmë Shqipërinë që kërkojmë të ndryshojmë!”
Reagimet e artistëve vijnë në një kohë kur situata në kryeqytet vijon të jetë në qendër të vëmendjes publike, me diskutime mbi të drejtën për të protestuar, përdorimin e forcës dhe shqetësimet për të ardhmen e të rinjve shqiptarë./mxh
