Aktivisti i mjedisit, Imeldi Sokoli gjatë një interviste në emisionin “Aldo Morning Show” në Tv Klan, ngriti alarmin për cilësinë e ajrit në kryeqytet.
Ai tha se që prej vitit 2017 kryhen matje të përvitshme në shtatë qytete të vendit, me fokus të veçantë në Tiranë, ku situata këtë vit rezulton tejet shqetësuese. Sipas matjeve për vitin 2025, niveli i dyoksidit të karbonit në disa zona të Tiranës është gjashtë herë mbi normën e lejuar, ndërsa ai i dyoksidit të azotit arrin deri në pesë herë mbi kufijtë standardë.
Zonat më problematike mbeten “21 Dhjetori”, “Zogu i Zi” dhe segmenti deri te “Rruga e Kavajës”, ku ndërtime të shumta dhe bllokimi i korridoreve natyrore të ajrosjes po rëndojnë ndjeshëm ndotjen.
Imeldi Sokoli: Kemi që në vitin 2017 që bëjmë matje të përvitshme me anë të projekteve të ndryshme. Ne e kemi shtrirë këtë matje në shtatë qytete të Shqipërisë, vit pas viti dhe normalisht që fokusi jonë kryesor është Tirana, sepse është qyteti më i madh dhe më kompleks. Tiranë-Elbasan-Durrës, ne i kemi këto tre qytete në fokusin tonë, duke përfshirë edhe Shkodrën, Korçën edhe Fierin. Sa i takon dyoksidit të karbonit, vlera që është regjistruar në Tiranë është gjashtë herë mbi normë, kryesisht është në zonën e ‘21 Dhjetorit’ dhe ‘Zogut të Zi’. Kësaj here është shumë e lartë. Problemi i Tiranës, kryesisht vjen nga intensiteti i lartë i ndërtimeve dhe nga bllokimi i korridoreve të ajrosjes të qytetit. Sa i takon dyoksidit të azotit është rreth pesë herë mbi normë. Këtu është një alarm mjedisor. Reagimi duhet që të jetë i menjëhershëm, qoftë nga institucionet, por edhe nga qytetarëve sa i takon përdorimit të makinave, nga njerëzit. Duhet të ketë një sensibilizim në shkallë të gjerë sa i takon kësaj. Përderisa të gjithë kanë vendosur që të jetojnë këtu, nuk duhet që ta vrasin të ardhmen në këtë lloj mënyre.
Aldo: Cila zonë e Tiranës iu ka habitur më shumë, që është më e pastër apo më e ndotur nga sa e mendonit?
Imeldi Sokoli: Më e ndotura është normalisht ’21 Dhjetori’, ‘Zogu i Zi’ dhe deri te “Rruga e Kavajës”. Si zonë, që është deri diku nën norma, është zona aftër stadiumit “Air Albania”, sepse ka edhe liqenin afër, sepse ajroset edhe më kollaj, në periudha të ndryshme të ditës nuk ka edhe aq shumë trafik, si zonë, apo patjetër zona e liqenit edhe zona e ‘Bulevardit’ të ri ku ka një ajrosje pak më të madhe./kb
