Celine Dion nuk mundi t’i mbante lotët teksa tregonte historinë që fshihej pas varëses spektakolare me diamante që kishte zgjedhur për rikthimin e saj në skenën e Parisit. Për këngëtaren, ajo nuk ishte thjesht një bizhuteri luksoze, por një kujtim i drejtpërdrejtë i bashkëshortit të saj të ndjerë, René Angélil. “Më bën të ndihem sikur René është ende këtu”, tha ajo e emocionuar.
Dy javë pas hapjes së rezidencës së saj në Paris, këngëtarja publikoi në Instagram një video me disa nga momentet më të veçanta të mbrëmjes së parë, përfshirë edhe pamje nga prapaskenat e performancës së saj të parë.
Në skenë, Celine kishte zgjedhur një fustan të zi Dior, një prej dy veshjeve që veshi për hapjen e serisë së koncerteve më 12 shtator. Por ajo që i dha edhe më shumë shkëlqim look-ut ishte një varëse spektakolare me diamante nga Boucheron.
Duke folur për bizhuterinë, Dion tregoi se ajo kishte një kuptim shumë personal për të, pasi marka lidhej në mënyrë të veçantë me bashkëshortin e saj.
“Është një varëse Boucheron. Dhe është disi e pabesueshme, sepse bashkëshorti im përdorte gjithmonë parfum Boucheron. Është diçka që më bën të ndihem sikur René është ende këtu”, u shpreh këngëtarja.
Por kjo nuk ishte e vetmja arsye pse varësja ishte kaq e veçantë. Sipas Celine, bizhuteria nuk ishte veshur më parë dhe ishte krijuar si një pjesë unike.
“Nuk është përdorur kurrë. Është unike. Ashtu si René”, shtoi ajo.
Varësja quhet “The Address” dhe është frymëzuar nga një krijim i vjetër i arkivave të Boucheron, forma e të cilit bazohej në Place Vendôme, një prej shesheve më të famshme të Parisit.
Dizajni ka një formë të strukturuar si një jakë, e punuar me diamante të rrumbullakët dhe diamante në prerje smeraldi. Pjesa shtrihet si një fjongo dhe përfundon në një varëse të madhe tetëkëndore.
Një vijë e vetme me llak të zi kalon përgjatë dizajnit, duke krijuar kontrast me shkëlqimin e diamanteve të bardhë.
Në qendër të varëses ndodhen disa tetëkëndësha koncentrikë, të formuar nga diamante në prerje smeraldi dhe të rrumbullakët. Në zemër të saj ndodhet një diamant mbresëlënës 10.01 karatësh, në prerje smeraldi.
Kjo pjesë e jashtëzakonshme u prezantua në janar dhe kërkoi plot 1,107 orë punë për t’u realizuar.
Për Celine Dion, rikthimi në Paris vjen pas disa vitesh veçanërisht të vështira. Këngëtarja u diagnostikua me sindromën e personit të ngurtë në vitin 2022, pas një periudhe të gjatë me probleme shëndetësore që ndikuan edhe në aktivitetin e saj muzikor.
Ndërkohë, historia e saj me René Angélil mbetet një prej kapitujve më të rëndësishëm të jetës së saj. Celine e takoi për herë të parë kur ishte vetëm 12 vjeç, ndërsa lidhjen romantike e nisën kur ajo ishte 19 vjeç.
Çifti u martua dhe qëndroi së bashku për më shumë se dy dekada, deri në ndarjen nga jeta të Angélil në janar të vitit 2016, në moshën 73-vjeçare, pas një beteje të gjatë me kancerin e fytit./mxh
