Last Updated on 13/09/2026 by Anisa
Një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë janë plagosur pasi një anije tregtare u godit të dielën në Ngushticën e Hormuzit, njoftuan autoritetet iraniane, ndërsa tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara vijojnë në këtë zonë strategjike.
Guvernatori i qytetit Qeshm, Amir Teymouri, deklaroi për televizionin shtetëror se anija u godit rreth orës 05:00 me orën lokale, pranë brigjeve të ishujve Hengam dhe Qeshm. Ai nuk specifikoi se nga erdhi goditja apo se çfarë lloj predheje u përdor.
Agjencia britanike e sigurisë detare UKMTO konfirmoi se kishte marrë një raport për një anije që ishte goditur nga një “predhë e paidentifikuar” teksa po lundronte në Ngushticën e Hormuzit. Më pas, agjencia raportoi se në bord kishte shpërthyer një zjarr dhe se autoritetet lokale po ndihmonin në evakuimin e ekuipazhit.
UKMTO u bëri thirrje anijeve që të lundrojnë me kujdes në këtë zonë dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për incidentin.
Ishulli Qeshm është më i madhi në Ngushticën e Hormuzit, një nga pikat më të rëndësishme të transportit detar të naftës dhe gazit në botë. Zona është kthyer në një pikë të nxehtë të përplasjes mes Uashingtonit dhe Teheranit që prej fundit të shkurtit.
