Last Updated on 09/09/2026 by EL
Drejtor i Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit në Bashkinë e Tropojës dhe Drejtuesi Teknik i punimeve janë ndaluar nga Policia lokale të mërkurë pas ngjarjes së një dite më parë ku një punonjës i Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë humbi jetën dhe tre të tjerë mbetën të plagosur pasi ranë në kontakt me rrymën.
Të dy janë ndaluar për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.
“Në vijim të këtyre veprimeve të kryera në drejtimin e Prokurorisë, nga grupi i posaçëm hetimor i ngritur me qëllim sqarimin dhe dokumentimin e rrethanave dhe përgjegjësive të lidhura me rastin e ndodhur më datë 08.09.2026, rreth orës 10:00, në afërsi të fshatit Bujan, në rrugën e Dobravës, ku 4 punonjës të Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë Tropojë ranë në kontakt me rrymën elektrike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë ndaluan për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasit: -N. Gj., 36 vjeç, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Turizmit, Shërbimeve Publike dhe Transportit, dhe G. H., 60 vjeç, me detyrë Drejtues Teknik i punimeve, të dy banues në Bajram Curri”, tha policia.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 4 punonjës të Sektorit të Shërbimeve të Bashkisë Tropojë, të cilët po mbanin një shtyllë për ndriçim, për ta vendosur në bazament, kanë humbur ekuilibrin dhe për pasojë shtylla ka prekur telat dhe e ka përcjellë rrymën te 4 shtetasit. Nga kjo ngjarje, humbi jetën shtetasi M. S. dhe u dëmtuan shtetasit A. D., I. D. dhe A. A., të cilët u transportuan për ndihmë mjekësore, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./et
