Last Updated on 06/10/2026 by EL
Më 9 tetor, në Oslo, do të shpallet fituesi i Çmimit Nobel për Paqen 2026. Këtë vit janë 287 kandidatë në garë, mes tyre 208 individë dhe 79 organizata. Por emrat e tyre nuk dihen, pasi prej 50 vitesh lista mbahet e fshehtë, brenda një kasaforte në bodrumin e Institutit Norvegjez të Nobelit në Oslo. Megjithatë, nominuesit, të cilët janë me mijëra në të gjithë botën, mund të zgjedhin t’i bëjnë publike kandidaturat e tyre. Por si funksionon në të vërtetë procesi që çon te një prej çmimeve më prestigjioze në botë?
Në vitin 2025, Komiteti Norvegjez i Nobelit shpalli si fituese të Çmimit Nobel për Paqen Maria Corina Machado.
Por, përpara se emri i fituesit të bëhet publik, ekziston një proces i gjatë dhe i mbyllur. Kristian Berg Harpviken, sekretar i Komitetit Norvegjez të Nobelit dhe drejtor i Institutit Norvegjez të Nobelit, shpjegon se procesi vazhdon gjatë gjithë vitit dhe se lista e kandidatëve ngushtohet gradualisht.
Sekretar i Komitetit të Nobelit Kristian Berg Harpviken u shpreh: “Ne marrim një numër shumë të madh nominimesh, i shqyrtojmë ato, vlerësojmë vlefshmërinë e tyre dhe i paraqesim një listë të gjatë nominimesh, pra të gjitha nominimet e vlefshme, Komitetit të Nobelit. Ata i lexojnë të gjitha, të gjithë listën. Më pas përzgjedhin një listë të shkurtër, e cila mund të përfshijë nga një numër relativisht të vogël kandidatësh deri në dhjetëra kandidatë. Më pas, unë, në cilësinë e sekretarit të komitetit, jam përgjegjës për të kërkuar vlerësime nga ekspertë për kandidatët që janë përfshirë në listën e shkurtër.”
Por çfarë përcakton se kush mund ta fitojë Çmimin Nobel për Paqen?
Përgjigjja gjendet fillimisht te testamenti i Alfred Nobelit. Ai e përcaktoi qartë se çmimi duhej t’u jepej atyre që kishin bërë më shumë për paqen dhe bashkëpunimin mes kombeve.
Kristian Berg Harpviken
“Alfred Nobeli e formuloi shumë qartë se për çfarë duhej të ishte Çmimi Nobel për Paqen. Ai duhej t’u jepej atyre që kanë bërë më shumë për vëllazërinë mes kombeve, për çarmatimin ose heqjen e ushtrive të përhershme, apo për organizimin e kongreseve të paqes. Kjo ishte ajo që ai shkroi në testamentin e tij.”
Por përgjigjja nuk është aq e thjeshtë, sepse çmimi duhet të interpretohet në kontekstin e botës së sotme. Pra, Komiteti i Nobelit e nis diskutimin nga testamenti i Alfred Nobelit, por njëkohësisht analizon edhe atë që po ndodh në botë.
“Përgjigjja më e ndërlikuar është se çmimi duhet të vendoset në kontekstin aktual. Komiteti operon me një kuptim dinamik të testamentit, për arsye shumë të mira. Dhe nuk ekziston një kodifikim që përcakton saktësisht se çfarë duhet të theksohet në diskutimet e Komitetit të Nobelit”, tha Kristian Berg Harpviken.
“Ata, sigurisht, do ta bazojnë çdo diskutim te testamenti. Por do të shohin edhe botën, do të shohin se çfarë po ndodh, cilat janë tendencat globale, cilat janë shqetësimet kryesore dhe cilat janë proceset më premtuese që shohim. Dhe proceset këtu mund të nënkuptojnë gjithçka, nga një proces specifik paqeje deri te një lloj i ri marrëveshjeje ndërkombëtare që është në zhvillim ose që është miratuar së fundmi.”
Mes atyre që mund të propozojnë kandidatë janë anëtarët e qeverive dhe parlamenteve, krerët aktualë të shteteve, rektorët e universiteteve, profesorët e historisë, shkencave sociale, drejtësisë dhe filozofisë, si edhe fituesit e mëparshëm të Çmimit Nobel për Paqen, ndër të tjerë.
Afati për nominimet përfundoi më 31 janar. Edhe anëtarët e Komitetit mund të bëjnë nominimet e tyre, por jo më vonë se mbledhja e parë e komitetit në muajin shkurt.
“Shumë njerëz mund të propozojnë kandidatë për çmimin. Dy kategoritë më të mëdha të njerëzve që kanë të drejtë të nominojnë janë, së pari, akademikët, dhe kjo do të thotë të gjithë profesorët dhe profesorët e asociuar, madje edhe profesorët në pension, në të gjitha fushat e shkencave sociale, teologjisë, filozofisë, drejtësisë dhe historisë. Janë tashmë mjaft njerëz në botë që mund të bëjnë nominime në këtë kategori. Kategoria e dytë më e madhe janë të gjithë anëtarët aktualë të parlamenteve kombëtare dhe qeverive, kudo në botë”, Kristian Berg Harpviken.
Këtë vit janë 287 kandidatë në garë, por emrat e tyre mbeten sekret. Megjithatë, disa prej nominuesve kanë bërë publike zgjedhjet e tyre. Mes emrave të përmendur është edhe presidenti amerikan Donald Trump. Udhëheqësit e Kamboxhias, Izraelit dhe Pakistanit kanë deklaruar se e kanë nominuar Trumpin, megjithëse nuk ka asnjë mënyrë për ta verifikuar zyrtarisht këtë. Sipas ekspertëve, nëse Trump është nominuar, shanset e tij për ta fituar çmimin janë shumë të ulëta.
“Presidenti Trump mund të jetë i preferuari sipas agjencive të basteve. Ai nuk do të ishte zgjedhja ime e preferuar. Mendoj se kjo do të krijonte një precedent mjaft të diskutueshëm. Ky është një president që pretendon se ka arritur një sërë suksesesh në ndërmjetësimin e konflikteve shumë të vështira për t’u zgjidhur. Kjo nuk do të thotë se nuk ka një histori konkrete në këtë drejtim, por mund të jetë që kjo histori të jetë ekzagjeruar”, tha Karim Haggag.
Po cilët janë favoritët e këtij viti? Mes emrave të përmendur janë Papa Leo, Gjykata Penale Ndërkombëtare, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Francesca Albanese, raportuese speciale e Kombeve të Bashkuara për Territoret Palestineze të Pushtuara. Një tjetër mundësi janë Emergency Response Rooms, një rrjet sudanez grupesh komunitare që ofrojnë ndihmë gjatë luftës civile në Sudan.
Në listën e mundësive është edhe organizata joqeveritare Save the Children, për ndihmën që u jep fëmijëve në zonat e konfliktit. Ndërsa mes kandidatëve më pak të favorizuar është edhe Stacioni Ndërkombëtar Hapësinor, si një shembull i asaj që shtetet mund të arrijnë edhe kur janë në konflikt me njëri-tjetrin. Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Evropa bashkëpunojnë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor.
Haakan Gjerloew, drejtor i Institutit për Paqen, u shpreh: “Një nga pasojat e mëdha të luftës në Gaza ishte numri i madh i fëmijëve viktima të konflikteve të dhunshme. Prandaj, përqendrimi te pasojat humanitare të konflikteve në Lindjen e Mesme mund të jetë një mënyrë për t’iu adresuar kësaj çështjeje dhe mendoj se, në këtë rast, Save the Children mund të jetë një kandidat i mundshëm, si edhe, natyrisht, Dhoma e Reagimit Emergjent e Sudanit.”
Komiteti Norvegjez i Nobelit qe percakton fituesin përbëhet nga pesë persona të emëruar nga parlamenti norvegjez. Anëtarët janë shpesh, por jo gjithmonë, politikanë në pension.
Komiteti aktual drejtohet nga kreu i degës norvegjeze të PEN International, një organizatë që mbron lirinë e shprehjes. Një tjetër anëtar është akademik.Anëtarët propozohen nga partitë politike norvegjeze dhe emërimet e tyre pasqyrojnë balancën e forcave politike në parlamentin e Norvegjisë.
Komiteti diskuton të gjitha nominimet dhe më pas harton një listë të shkurtër. Çdo kandidat shqyrtohet dhe vlerësohet më pas nga një grup këshilltarësh të përhershëm dhe ekspertë të tjerë.
“Me afrimin e verës, lista e kandidatëve për çmimin zakonisht reduktohet në një numër relativisht të vogël emrash. Gjatë verës merret një vendim dhe ne fillojmë punën për përgatitjen e shpalljes. Dhe shpallja bëhet gjithmonë të premten ose gjatë javës së parë të plotë të tetorit.”
Komiteti përpiqet të arrijë një konsensus për zgjedhjen e fituesit. Nëse kjo nuk është e mundur, vendimi merret me shumicë votash.
Hera e fundit kur një anëtar u largua në shenjë proteste ishte në vitin 1994, kur lideri palestinez Yasser Arafat ndau çmimin me izraelitët Shimon Peres dhe Yitzhak Rabin. Fituesi merr nje medalje ari, një diplomë, 12 milionë korona suedeze, rreth 1.2 milionë dollarë, si dhe vëmendjen e menjëhershme të gjithë botës. /et
