Norvegjia po përballet me rreziqe në rritje të sigurisë, për shkak të aktivitetit të grupeve ekstremiste. Shërbimi Norvegjez i Sigurisë Policore (PST) paralajmëron se gjatë vitit të ardhshëm mund të ketë përpjekje për sulme terroriste nga ekstremistë islamistë dhe të krahut të djathtë.
Sipas raportimit të Reuters, pavarësisht këtyre shqetësimeve, niveli i përgjithshëm i kërcënimit terrorist në vend mbetet i moderuar, në shkallën 3 nga 5, i njëjtë me vlerësimin e mëparshëm.
Në raportin e tij, PST tërheq vëmendjen edhe te shfaqja e një fenomeni të ri të njohur si “ekstremizmi nihilist”. Individët që përfshihen në këtë prirje shprehin dëshirën për të shkaktuar kaos dhe dëme masive. Sipas autoriteteve, zhvillimi i komuniteteve online me përmbajtje jashtëzakonisht të dhunshme ka shtuar shqetësimin për këtë fenomen.
Shërbimi i sigurisë vëren gjithashtu se ekstremistët islamistë në Norvegji po krijojnë gjithnjë e më shumë grupe dhe rrjete të organizuara, si në jetën reale, ashtu edhe në hapësirën online./ad
