Last Updated on 27/10/2026 by Monika
Kim Kardashian ka rrëfyer detaje prekëse nga biseda e fundit që pati me të atin, Robert Kardashian, i cili ndërroi jetë në vitin 2003, vetëm tetë javë pasi u diagnostikua me kancer të ezofagut. Në atë kohë, ylli i televizionit ishte vetëm 22 vjeçe.
Në biografinë e re me titull “Citizen Kim: The Woman Who Created the Future”, sipërmarrësja ka zbuluar detaje të panjohura deri më tani nga biseda e fundit me të atin.
“Gjëja e fundit që më tha babai im ishte: ‘E di që do t’ia dalësh mbanë. E shoh këtë te ti. Është sikur të shoh se si do të zhvillohet e gjithë jeta jote’. Babai im nuk u shpreh me shumë hollësi dhe nuk ishte gjithmonë plotësisht i kthjellët.”
Kim kujtoi edhe një moment të veçantë që, siç tha, nuk do ta harrojë kurrë.
“Ai vendosi dorën mbi këmbën time. Nuk do ta harroj kurrë. Isha shtrirë pranë tij në një divan këndor në formë L-je. Ishim disi të ngjeshur me njëri-tjetrin, ndërsa shikonim një film. Në atë moment, ai më tha: ‘Ti do të jesh mirë. Por kujdesu edhe për të tjerët. Dhe sigurohu që vëllai yt të jetë mirë’.”
Kim Kardashian ndau gjithashtu fjalët e fundit që i tha vetë të atit, në momentet e tij të fundit të jetës.
“Ai nuk mund të komunikonte më, por ishte shtrirë në shtratin e tij të vogël dhe e dija se funksionet jetësore pothuajse i kishin pushuar. Gjëja e fundit që i thashë ishte: ‘Babi, të falënderoj shumë për gjithçka që më ke mësuar. Që nga mënyra se si të jem një njeri i mirë, deri te mënyra se si më ndihmoje me detyrat e shkollës. Të gjitha këto janë gjëra që një ditë do t’i bëj edhe unë me fëmijët e mi. Do t’i ruaj të gjitha mësimet që mora duke të pasur ty në jetën time dhe do t’ua përcjell fëmijëve të mi’”.
Robert Kardashian ishte i martuar me Kris Jenner nga viti 1978 deri në vitin 1991. Nga martesa e tyre erdhën në jetë katër fëmijët, Kourtney, Kim, Khloé dhe Rob.
Kris Jenner, sot 70 vjeçe, ka pranuar se tradhtia ndaj bashkëshortit me futbollistin Todd Waterman, në vitin 1989, ishte “gabimi më i madh i jetës së saj”.
“Ai ishte një bashkëshort i mrekullueshëm dhe një baba shumë i mirë. Mendoj se u gjenda në një situatë ku besoja se diku tjetër gjërat do të ishin më mirë, dhe bëra një gabim të jashtëzakonshëm. Ky është pendimi më i madh i jetës sime”, i kishte thënë Kris vajzës së saj Khloé në një episod të emisionit “The Kardashians”, në vitin 2023.
Çifti u nda në vitin 1991 dhe, po atë vit, Kris u martua me Bruce Jenner, i cili vite më vonë iu nënshtrua tranzicionit gjinor dhe u bë i njohur si Caitlyn Jenner. Nga kjo martesë lindën dy vajzat, Kendall dhe Kylie.
Pak para vdekjes së Robertit, Kim ishte kujdesur që nëna e saj të hynte fshehurazi në shtëpinë e tij, në mënyrë që të dy të kishin mundësinë të përshëndeteshin për herë të fundit.
“Besoj se i shprehën dashurinë njëri-tjetrit. Ajo i tha: ‘Ti je dashuria e jetës sime’, dhe ai iu përgjigj me të njëjtat fjalë”, është zbuluar në një episod të “The Kardashians” në vitin 2023./mxh
