Last Updated on 09/11/2026 by Monika
Céline Dion ka kaluar një mbrëmje ndryshe në koncertin e grupit legjendar Metallica në Las Vegas, ku nuk e ka fshehur aspak entuziazmin për muzikën e tyre.
Ylli kanadez mori pjesë të enjten, më 5 nëntor, në koncertin e grupit, të mbajtur në kuadër të “Life Burns Faster”, dhe u argëtua duke ndjekur performancën nga një suitë private.
Në videot e publikuara në rrjetet sociale nga të pranishmit, 58-vjeçarja shihet teksa ngrihet nga vendi dhe imiton lëvizjet e basistit të Metallica-s, Robert Trujillo, duke bërë sikur luan bas me duar. Ajo ndjek me entuziazëm lëvizjet e muzikantit, i cili ndodhej në skenë së bashku me kitaristin Kirk Hammett.
Momenti u regjistrua gjatë improvizimit muzikor që dy artistët realizojnë zakonisht gjatë koncerteve, i njohur si “Kirk and Rob Doodle”. Këtë herë, performanca përfshiu pjesët “Motown Yo Town” dhe “Copenhagen”.
Dashuria e këngëtares për Metallica-n nuk është e re. Në shkurt, artistja, fituese e pesë çmimeve Grammy, kishte ndarë disa prej këngëve të saj të preferuara dhe në listë kishte përfshirë edhe “Until It Sleeps” të grupit, publikuar në vitin 1996.
“Eddie, njëri prej djemve të mi binjakë, ka si grupin e preferuar Metallica-n”, kishte treguar ajo në atë video, përpara se të provonte me entuziazëm të imitonte vokalistin James Hetfield.
Prania e saj në koncertin në Sphere vjen në një periudhë të rëndësishme për këngëtaren, e cila në shtator u rikthye në skenë pas gjashtë vitesh mungesë. Performanca e saj në Paris shënoi një moment të rëndësishëm në karrierën e saj, pas njoftimit në vitin 2022 se ishte diagnostikuar me sindromën e personit të ngurtë, një çrregullim i rrallë neurologjik që kishte ndikuar në aftësinë e saj për të performuar drejtpërdrejt. Në tetor, ajo përfundoi pjesën e parë të koncerteve të saj në kryeqytetin francez./mxh
