Pak ditë përpara se t’i jepte fund jetës, më 21 nëntor, Gianni De Gennaro kishte shkruar katër letra, të gjitha të datës 17 nëntor. Dy prej tyre ishin mesazhe të destinuara për publikun, ndërsa dy të tjerat ishin private, njëra për familjen dhe tjetra për kujdestarin e pronës së tij. Mes këtyre shkrimeve, ish-kreu i Policisë së Shtetit italian kishte lënë edhe testamentin e tij moral, përmbajtja e së cilës është publikuar nga gazeta “Corriere della Sera”, ku mbronte figurën dhe karrierën e tij, duke mohuar se kishte tradhtuar ndonjëherë betimin ndaj atdheut. Gianni De Gennaro mohon të ketë kërkuar ndonjëherë përfitime personale dhe mbron figurën e tij.
“Pas pak minutash nuk do të jem më dhe, siç mund ta kuptoni, një person i dënuar me vdekje nuk mund të gënjejë”. Këto janë fjalët që Gianni De Gennaro kishte shkruar pak para se t’i jepte fund jetës.
Letra, e vendosur në një zarf, ishte adresuar te personat përgjegjës, me dëshirën që përmbajtja e saj të bëhej publike. “Ky është testamenti im moral”, shkruante De Gennaro në hyrje të mesazhit.
Në letër, ai këmbëngul se nuk e ka tradhtuar kurrë betimin për besnikëri ndaj atdheut dhe se nuk ka kërkuar asnjëherë favore apo përfitime për veten. Për të mbështetur pretendimet e tij, ai u kërkon autoriteteve të kontaktojnë disa prej figurave të larta politike me të cilat ka bashkëpunuar ndër vite, mes tyre Giuseppe Conte, Giuliano Amato, Enrico dhe Gianni Letta, si dhe Romano Prodi.
Në të njëjtën zarf u gjet edhe hard disku që autoritetet po kërkonin gjatë kontrolleve të urdhëruara nga Prokuroria e Kaltanisetës.
Bëhet fjalë për një hard disk, për të cilin De Gennaro shkruante se kishte shmangur dorëzimin te persona që, sipas tij, nuk ishin në gjendje të vlerësonin përmbajtjen e tij.
“Këtu ndodhet objekti që të gjithë po kërkojnë, hard disku. Ai nuk përmban mistere dhe as sekrete, por vetëm dokumente dhe të dhëna që lidhen me rreth 40 vite të një pjese të jetës sime, të mbushur me vuajtje dhe hidhërime. Shqyrtojeni me kujdes, por me qetësi dhe pa interpretime të panevojshme”, shkruante ai.
De Gennaro shpjegonte se kishte vendosur t’i ruante dokumentet e vjetra për të lënë gjurmë të karrierës së tij profesionale dhe për t’iu rikthyer atyre në rast se do të lindte nevoja për çështje që lidhen me drejtësinë.
“Kam dashur vetëm të shmangja marrjen e tij nga persona që nuk i konsideroja të aftë të vlerësonin përmbajtjen”, thuhej më tej në letër.
Në një pjesë tjetër, ai bënte edhe një referencë për vrasjen e regjisorit dhe shkrimtarit italian Pier Paolo Pasolini, duke vënë në dukje se në Itali vazhdojnë të kërkohen prova për një krim të ndodhur 51 vite më parë.
Në mesazhin e tij, ish-kreu i Policisë këmbëngulte se hard disku nuk përmbante informacione të fshehta. Ai shpjegonte se kishte vendosur ta mbante për vete, duke përfshirë në këtë çështje edhe një mik të cilin, siç shkruante, e donte dhe e vlerësonte.
Kjo pjesë e letrës duket se i referohet personit që kujdesej për sigurinë e tij, i cili aktualisht është nën hetim nga prokurorët e Kaltanisetës. Ai dyshohet se kishte fshehur dhe ruajtur në format digjital dokumente që konsiderohen komprometuese, me udhëzimin e De Gennaros.
Ish-zyrtari i lartë mbronte edhe një herë figurën e tij, duke theksuar se gjatë gjithë karrierës kishte shërbyer me ndershmëri dhe besnikëri ndaj shtetit italian.
“Nuk e kam tradhtuar kurrë betimin e besnikërisë ndaj atdheut. I kam shërbyer vendit tim me ndershmëri dhe besnikëri. Kam punuar gjithmonë me përkushtim dhe ndershmëri në shërbim të shtetit”, shkruante ai.
Në letër, De Gennaro i është përgjigjur edhe dyshimeve se mund të ketë qenë i interesuar për poste dhe detyra të rëndësishme.
Ai përmend disa prej emërimeve të tij në institucione të rëndësishme, duke pretenduar se në disa raste kishte tentuar të shmangte marrjen e këtyre detyrave.
Sipas tij, ish-kryeministri Enrico Letta mund të dëshmonte për hezitimin e tij për të drejtuar kompaninë Finmeccanica, aq sa, siç shkruante, për ta bindur ishte ndërhyrë edhe përmes një telefonate nga Presidenti i Republikës.
Ai përmend gjithashtu ish-kryeministrin Giuseppe Conte, duke thënë se kishte tentuar pa sukses të shmangte detyrën si president i Bankës Popolare di Bari, përpara se të pranonte emërimin.
Në letër përmendet edhe emërimi në krye të Eurolink, për të cilin De Gennaro thotë se ishte kërkuar nga Gianni Letta.
Ai rikthen gjithashtu në kujtesë vitin 2007, kur u largua nga detyra e kreut të Policisë së Shtetit nga qeveria e Romano Prodit. Sipas tij, lajmin e kishte marrë në mënyrë të papritur, gjatë një përgjigjeje të kryeministrit në një seancë parlamentare, e transmetuar drejtpërdrejt në televizion.
Në atë kohë, ministër i Brendshëm ishte Giuliano Amato, të cilin De Gennaro e përmend si një tjetër person që mund të konfirmonte se nuk kishte kërkuar asnjë post për veten, përveç mundësisë për të ushtruar detyrën e prefektit në cilindo qytet të Italisë.
“E sfidoj këdo të thotë se kam kërkuar ndonjë gjë për veten”, shkruante ai.
Në fund të letrës, De Gennaro shprehte hidhërimin për akuzat dhe pretendimet që, sipas tij, po e rëndonin në atë periudhë.
“Shpresoj që, përballë ortekut të gënjeshtrave që tani po më mbulojnë, në fund të triumfojë e vërteta”, përfundonte ai, duke e mbyllur mesazhin me firmën: “Me besim, Gianni De Gennaro”./ad
