Të vendosur të qëndrojnë jashtë luftës në Iran, por të frikësuar nga rreziku se mund të tërhiqen kundër vullnetit të tyre dhe me kujtimet e tradhtive të së kaluarës… kështu po e përjetojnë kurdët irakianë krizën e radhës që godet rajonin e tyre.
“Lërini rehat kurdët! Ne nuk jemi pushkë të marra me qira”, deklaroi Shanaz Ibrahim Ahmed, bashkëshortja e presidentit të Irakut Latif Rashid, të dy me origjinë kurde.
“Shumë herë në histori, edhe së fundmi si në Siri, jemi përdorur nga amerikanët dhe aleatët e tyre për të arritur objektiva që nuk ishin të tanët, për t’u harruar më pas dhe për të mbetur vetëm për të paguar pasojat”, thonë burime të larta në qeverinë rajonale në Erbil.
Këto burime sipas Corriere della Sera komentojnë lajmet e përhapura ditët e fundit sipas të cilave SHBA-të do të dëshironin të mobilizonin si grupet e opozitës së kurdëve iranianë, ashtu edhe një pjesë të “vëllezërve” në Irak, për të nxitur një luftë civile në Iran dhe për të ndihmuar në goditjen kundër regjimit të ajatollahëve.
Realiteti në terren
Në fakt, kurdët irakianë nuk lëvizin dhe shpresojnë me ngulm që edhe ata iranianë të qëndrojnë të qetë. Erbili është një qytet në pritje. Rrugët janë me pak trafik, aeroporti i mbyllur, postblloqet më të rrepta se zakonisht, tensioni në kulm dhe milicitë shiite irakiane të vendosura në rrugën drejt Mosulit. Ndërkohë, vazhdojnë kronikat e sulmeve me dronë dhe raketa që synojnë bazat amerikane dhe ato të kurdëve iranianë.
“Edhe sot iranianët na goditën me dy raketa dhe tre dronë. Jemi në alarm, mund të kthehen në çdo moment”, thotë Aman Zibai, i zhvendosur 25 vite më parë nga qyteti iranian Mahabad, i cili tani jeton në kampin e refugjatëve në Koia, rreth 40 km nga Erbili. Ai shton se lidhjet telefonike me familjen janë bllokuar që nga fillimi i sulmeve izraelito-amerikane më 28 shkurt.
Burime diplomatike perëndimore theksojnë se brenda një jave luftë, provinca kurde është goditur të paktën 140 herë, jo vetëm nga iranianët, por edhe nga milicitë shiite irakiane të PMF-së (Forcat Popullore të Mobilizimit), aleate të Teheranit. Mbrëmë, në Erbil u godit edhe një hotel./mxh
