Reperi Fero ka vendosur të reagojë publikisht pas diskutimeve mbi mungesën e tij në edicionin e ri të Big Brother VIP Kosova. Përmes disa postimeve në Instagram, artisti ka sqaruar se pjesëmarrja në spektakël ishte një mundësi që ai zgjodhi të mos e pranonte.
Në reagimin e tij, Fero është ndalur te komentet që mund të qarkullojnë për këtë vendim, duke kundërshtuar çdo përpjekje për të dëmtuar imazhin e tij për shkak të refuzimit të ofertës.
Reperi ka theksuar se reputacioni që ka krijuar ndër vite nuk i detyrohet ndonjë televizioni apo gazetari dhe se nuk do të lejojë që të tjerët të ndikojnë në mënyrën se si perceptohet nga publiku.
“Nëse dikush mendon që mundet me ma përly emrin vetëm pse nuk kam pranuar një ofertë, e ka shumë gabim”, është shprehur ai.
Më tej, Fero ka sfiduar ata që mund të kenë informacione apo pretendime për të që t’i bëjnë publike, ndërsa ka paralajmëruar pasoja për personat që shpërndajnë informacione të pavërteta.
Ai ka lënë të kuptohet gjithashtu se nuk ka ndërmend të heshtë përballë asaj që e konsideron shpifje, por njëkohësisht nuk dëshiron të përfshijë jetën private të të tjerëve në debatet publike për të tërhequr vëmendje.
Në fund, artisti ka rikthyer vëmendjen te arsyeja e reagimit të tij, duke e bërë të qartë se vendimi për të mos hyrë në shtëpinë e BBVK-së ishte tërësisht personal dhe nuk kërkonte miratimin e askujt.
“Sa i përket Big Brother VIP Kosova, unë kam vendosur të mos jem pjesë e atij formati. Nuk kam nevojë për lejen e askujt për vendimet e mia”, ka përfunduar reperi./mxh
