Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Botërore Myslimane, Sheikh Dr. Mohammad bin Abdulkarim Al-Issa, shprehu besim te institucionet dhe kushtetutat europiane, duke thënë se rritja e forcave të djathta në disa vende nuk përbën, sipas tij, arsye për shqetësim të përgjithshëm. Gjatë vizitës në Bruksel, ai theksoi rëndësinë e dialogut dhe respektimit të vlerave shoqërore përballë tensioneve politike dhe fetare.
“Dialogu” ishte fjala që Al-Issa përsëriti më shpesh gjatë qëndrimit në kryeqytetin belg, ku zhvilloi takime me përfaqësues politikë, drejtues të komuniteteve fetare dhe anëtarë të shoqërisë civile. Ai mori pjesë në një takim të nivelit të lartë kushtuar dialogut dhe kohezionit social, duke argumentuar se përballja me konfliktet kërkon vullnet të sinqertë dhe lidership efektiv.
“Ne gjithmonë besojmë te dialogu dhe kemi besim të madh tek ai. Dialogu është gjuha e arsyes dhe e mençurisë”, u shpreh Al-Issa.
Deklaratat e tij vijnë në një periudhë kur në disa vende europiane forcat e djathta kanë rritur mbështetjen e tyre. Në Gjermani, AfD doli e para në zgjedhjet rajonale në Saksoni-Anhalt dhe Mecklenburg-Pomerani në shtator. Ndërkohë, Franca pritet të zhvillojë zgjedhjet presidenciale në vitin 2027, ndërsa zgjedhje parlamentare priten në Itali, Poloni dhe Greqi.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Al-Issa tha se ka besim te mekanizmat institucionalë europianë. “Sa i përket diskutimeve për shfaqjen e një të djathte të ashpër në disa vende europiane, në përgjithësi nuk jemi të shqetësuar. Çdo vend europian ka një kushtetutë të qytetëruar, të cilën askush nuk mund ta anashkalojë. Ka gjithashtu vlera shoqërore që të gjithë duhet t’i respektojnë”, tha ai.
Sipas tij, çdo largim nga parimet kushtetuese dhe vlerat shoqërore do të sillte reagimin e publikut dhe mund të sfidohej edhe përmes gjykatave kushtetuese. Al-Issa tha se situata të ngjashme janë shfaqur edhe në vende të tjera dhe se mekanizmat e kontrollit kushtetues, së bashku me reagimin e shoqërisë, kanë luajtur rol në korrigjimin e tyre.
Gjatë vizitës, ai foli edhe për lirinë fetare dhe respektimin e praktikave të ndryshme të besimit. Çështja është bërë pjesë e debatit politik në Europë, veçanërisht pas masave të ndërmarra në disa vende për kufizimin e veshjeve që mbulojnë fytyrën.
Në Itali, qeveria ka miratuar një dekret që ndalon mbulimin e fytyrës gjatë aktiviteteve shkollore, me përjashtime për raste të caktuara mjekësore dhe edukative. Kryeministrja Giorgia Meloni, gjatë prezantimit të masës, iu referua edhe burkës dhe nikabit, duke argumentuar se askush nuk duhet të detyrojë një vajzë të fshehë fytyrën.
“Ne gjithmonë bëjmë thirrje për respektimin e praktikave dalluese të çdo feje, për sa kohë ato nuk bien ndesh me kushtetutën”, tha Al-Issa.
Ligën Botërore Myslimane, me seli në Mekë, e themeluar në vitin 1962, e përshkruan misionin e saj si promovimin e Islamit, tolerancës dhe miqësisë mes popujve.
