Rreziku i lindjes së parakohshme rritet ndjeshëm kur nënat shtatzëna ekspozohen ndaj valëve të të nxehtit, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) në një raport të publikuar të mërkurën.
Raporti citon një studim të vitit 2024 të botuar në revistën Nature, i cili zbuloi se rreziku mund të rritet deri në 26%. Sipas studimit, ekspozimi ndaj nxehtësisë ekstreme gjatë shtatzënisë rrit gjithashtu rrezikun e lindjes së foshnjës së vdekur, anomalive kongjenitale tek foshnjat dhe diabetit gestacional.
Në vitin 2024, foshnjat nën një vjeç përjetuan pothuajse pesë herë më shumë ditë me valë të nxehti sesa ato të lindura gjatë periudhës nga viti 1986 deri në vitin 2005.
“Globalisht, rreth 1.5 miliardë fëmijë janë të ekspozuar ndaj valëve të të nxehtit që po bëhen më të shpeshta, më të gjata ose më të rënda”, thuhet në raport.
Sipas rekomandimeve të përgjithshme të OBSH-së, gratë shtatzëna duhet të pinë shumë lëngje gjatë motit të nxehtë, të freskojnë qafën dhe këmbët me peshqirë të lagur kur është e nevojshme dhe të planifikojnë aktivitete për pjesët më të ftohta të ditës sa herë që është e mundur.
Autoritetet shëndetësore duhet të kenë plane paralajmëruese të hershme dhe të bëjnë më shumë për të rritur ndërgjegjësimin e familjeve për rreziqet, thotë raporti.
Ata gjithashtu duhet të përgatiten për të trajtuar më shumë gra shtatzëna dhe foshnje, ndërsa numri i ditëve jashtëzakonisht të nxehta rritet.
Për ta arritur këtë, duhet të mblidhen më shumë të dhëna kudo, në mënyrë që autoritetet të mund të vlerësojnë me saktësi se cilat rreziqe po rriten dhe me sa, thotë OBSH-ja./MXH
