Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka votuar për të zëvendësuar hartën tradicionale të botës me një që pasqyron më saktë madhësinë e Afrikës. Ajo nuk është detyruese, por do të sjellë ndryshime në hartat e përdorura nga institucionet në mbarë botën.
Rezoluta “Korrigjoni Hartën”, e sponsorizuar nga Togo dhe e mbështetur nga anëtarët e Bashkimit Afrikan (AU), u miratua me mbështetjen e 164 vendeve, përfshirë Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar. SHBA-të ishin i vetmi vend që votoi kundër saj – ndërsa pati gjashtë abstenime.
Harta e Mercator, e cila ka qenë në përdorim të zakonshëm që nga shekulli i 16-të, është kritikuar pasi e tregon Afrikën si të ngjashme në madhësi me Groenlandën, edhe pse në fakt është 14 herë më e madhe.
Kritikët thonë se kjo çon në minimizimin e nevojave dhe potencialit të zhvillimit për vendet pranë ekuatorit.
Harta e Mercator u krijua në vitin 1569 nga kartografi flamand Gerardus Mercator për të ndihmuar eksploruesit evropianë të lundronin nëpër botë. Shtrembërimi i hartës së tij është rezultat i faktit se është e pamundur të përfaqësohet me saktësi sipërfaqja e një globi në një hartë dy-dimensionale.
Harta e Mercatorit merr parasysh lakimin e Tokës duke i bërë vendet pranë ekuatorit të duken më të vogla nga ç’janë në të vërtetë, ndërsa vendet më afër poleve të duken më të mëdha.
Në një përpjekje për ta adresuar këtë, një ekip kartografësh në vitin 2018 krijuan një hartë me sipërfaqe të barabartë që e quajtën projeksioni i Tokës së Barabartë.
Në shkurt, 54 shtetet anëtare të AU-së e miratuan atë dhe thanë se “përfaqëson më saktë madhësitë e të gjitha kontinenteve, veçanërisht të Afrikës”./ad
