Një operacion i gjerë policor është zhvilluar në Katalonjë, ku autoritetet spanjolle kanë goditur një organizatë kriminale të dyshuar për trafik armësh.
Gjatë aksionit janë arrestuar nëntë persona dhe është sekuestruar një arsenal i konsiderueshëm armësh, mes të cilave një bazukë dhe një granatë dore.
Operacioni u zhvillua nga forcat e Mossos d’Esquadra dhe Policia Nacional, me pjesëmarrjen e rreth 130 efektivëve. Sipas autoriteteve, kontrollet u kryen në disa ambiente të lidhura me organizatën, ku u zbuluan dy depo armësh me më shumë se 40 armë zjarri.
Në mesin e arsenalit të sekuestruar ishin një armë luftarake, 38 pistoleta gjysmëautomatike, dy revolverë, katër pushkë dhe rreth 1 mijë fishekë. Gjithashtu, policia gjeti një granatë dore, jelekë antiplumb, një mburojë balistike, një bazukë dhe 12 mijë euro para cash.
Sipas hetimeve, organizata drejtohej nga një person që ndodhet aktualisht në burg, por që dyshohet se vazhdonte të koordinonte aktivitetin kriminal dhe të jepte urdhra për anëtarët e rrjetit.
Autoritetet bëjnë me dije se drejtuesi i grupit komunikonte me personat jashtë burgut, ndërsa organizata merrej me blerjen, magazinimin dhe shitjen e armëve përmes kanaleve të fshehta, duke përdorur fotografi dhe materiale të regjistruara për t’ua prezantuar ato blerësve të mundshëm.
Sipas hetimeve, një nga vajzat e drejtuesit të dyshuar të grupit kishte rolin e promovimit të armëve, duke i fotografuar dhe filmuar ato për t’ua dërguar klientëve. Ndërkohë, partnerja e tij dyshohet se transportonte armët me automjet në vendet e përcaktuara për dorëzim, ndërsa negociatat kryheshin nga kreu i organizatës nga ambientet e burgut.
Hetimi, i nisur në muajin janar, çoi në arrestimin e nëntë personave, pesë burra dhe katër gra, me moshë nga 20 deri në 48 vjeç. Paralelisht me kontrollet në terren, autoritetet kryen edhe një kontroll në burgun ku ndodhej personi i dyshuar si organizatori i rrjetit kriminal.
Policia spanjolle njoftoi se hetimet vijojnë dhe nuk përjashtohet mundësia e arrestimeve të tjera në kuadër të këtij operacioni./mxh
