Eurojust dhe Europol kanë goditur një grup trafikantësh të artefakteve. Janë arrestuar 35 anëtarë të këtij grupi, që qendrën e kishte në Bullgari. Operacioni është kryer në 6 shtete, mes tyre dhe në Shqipëri, ku veprimet u kryen nga Prokuroria e Posaçme.
Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme për Luftimin e Krimit të Organizuar, Boyan Raev deklaroi në një konferencë për shtyp se janë kryer 131 kontrolle dhe brenda 24 orëve janë ndaluar 35 persona.
“Janë gjetur mijëra objekte me vlerë kulturore, numri i të cilave po rritet vazhdimisht, si dhe mbi 50 armë antike,” theksoi Raev.
Sipas autoriteteve bullgare, gjatë operacionit janë sekuestruar automjete, kasaforta dhe objekte të tjera me vlerë.
Zëvendësprokurori i Qytetit të Sofjes, Angel Kanev, deklaroi se rrjeti kriminal kishte vepruar për më shumë se 16 vjet në Evropën Perëndimore, Ballkan, Shtetet e Bashkuara dhe në vende të tjera. “Në çështjen e pastrimit të parave, deri tani janë identifikuar mbi një miliard dollarë,” tha ai.
Europol bëri të ditur se hetimet nisën pas një bastisjeje të vitit 2020 në një banesë në Bullgari, ku policia gjeti rreth 7,000 artefakte kulturore me vlerë të pallogaritshme historike dhe monetare./MXH
