Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se forcat amerikane kanë kapur presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, pas një operacioni të gjerë ushtarak në vendin e Amerikës së Jugut.
Sipas Trump, Maduro dhe bashkëshortja e tij janë larguar nga Venezuela me aeroplan, në një operacion të zhvilluar në bashkëpunim me forcat e rendit të SHBA-së. Ata akuzohen në Nju Jork për vepra penale që lidhen me drogën dhe armët.
Pretendimi vjen pas raportimeve për shpërthime në disa zona të Karakasit në orët e para të mëngjesit të së shtunës, përfshirë pranë bazave ushtarake.
Ndërkohë, qeveria e Venezuelës ka hedhur poshtë këto deklarata dhe ka kërkuar prova se Maduro është gjallë dhe në gjendje të mirë shëndetësore. Autoritetet kanë vendosur forcat e armatosura në gatishmëri dhe kanë shpallur emergjencë kombëtare.
Ngjarja zhvillohet në një klimë tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Karakasit. SHBA-të kanë akuzuar prej kohësh Maduron për përfshirje personale në kontrabandën e drogës dhe për udhëheqje të paligjshme të vendit, akuza që presidenti venezuelian i ka mohuar, duke i cilësuar si kërcënime dhe ndërhyrje amerikane.
Çfarë dihet për operacionin e kapjes së Maduros?
Sipas CBS News, partner amerikan i BBC-së, presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, u kap nga forcat elitare Delta të ushtrisë amerikane, njësia më e lartë kundër terrorizmit.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi për “Fox and Friends” se Maduro dhe bashkëshortja e tij u morën nga një banesë e fortifikuar, e përshkruar si “një lloj fortese”. Ai tha se forcat amerikane ishin të pajisura për të prerë çelikun, por nuk pati nevojë të përdorej kjo strategji. Sipas Trump, operacioni u ndoq drejtpërdrejt prej tij, pa humbje jete nga ana e forcave amerikane dhe me vetëm pak të lënduar.
Pas kapjes, Maduro dhe gruaja e tij u transportuan me anije drejt SHBA-së, në rrugë për në Nju Jork.
Raportohet se një burim i CIA-s brenda qeverisë venezueliane ndihmoi në gjurmimin e vendndodhjes së Maduros. Operacioni ishte rezultat i muajve të tërë planifikimi dhe mbështetej në një rrjet të gjerë inteligjence. Forcat amerikane ishin të përgatitura edhe për një valë të dytë ndërhyrjeje, por ajo nuk u konsiderua e nevojshme.
Senatori republikan Mike Lee, pas një bisede me Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, tha se nuk priten veprime të mëtejshme ushtarake në Venezuelë, duke theksuar se sulmet kishin për qëllim mbrojtjen e forcave që zbatonin urdhrin e arrestit.
Ndërkohë, rreth orës 02:00 sipas kohës lokale, shpërthime të forta u dëgjuan në Karakas dhe re tymi u panë mbi qytet. Video që tregojnë shpërthime dhe helikopterë në fluturim kanë qarkulluar në rrjetet sociale, por ende nuk janë verifikuar. Nuk ka informacion zyrtar për viktima.
Qeveria venezueliane njoftoi gjithashtu se sulme janë raportuar edhe në shtetet Miranda, Aragua dhe La Guaira./mxh
