Orë vendimtare për Viktor Orbánin, kryeministri hungarez synon mandatin e pestë radhazi në zgjedhjet e kësaj të diele, por për herë të parë në 16 vite, pushteti i tij rrezikohet seriozisht nga lideri i opozitës, Péter Magyar. Sondazhet tradicionale e nxjerrin Magyarin me të paktën 8% avantazh.
Ende më pesimist është parashikimi i platformës së basteve online “Polymarket”, që parashikoi me saktësi fitoren e Donald Trumpit, e cila tregon se 73% e pjesëmarrësve besojnë në fitoren e opozitës pro-europiane, kundrejt vetëm 28% që besojnë te qëndrimi i Orbánit në detyrë.
Përballë këtyre shifrave, Orbán po luan të gjitha kartat. Mbështetja më e fundit i erdhi nga Donald Trump, i cili përmes rrjetit “Truth” u bëri thirrje hungarezëve të votojnë “mikun e tij”. Këtë javë në Budapest ishte edhe zëvendëspresidenti amerikan James David Vance, ndërsa mbështetje i dha edhe kryeministri populist i Çekisë, Andrej Babiš.
Në një përpjekje të fundit, Orbán ka kaluar në sulm duke akuzuar shërbimet e huaja të inteligjencës se po komplotojnë me opozitën për ta rrëzuar nga pushteti. Largimi i tij mund të shënojë rrëzimin e një prej bastioneve të fundit pro-Moskës në BE dhe një shtysë të re për unifikimin e zërave në vendimmarrjen e unionit, veçanërisht për luftën në Ukrainë./mxh
