Moderatorja dhe producentja Orinda Huta ka folur pa dorashka për prapaskenat e festivaleve muzikore në Shqipëri, duke hedhur dritë mbi një realitet që, sipas saj, rrallëherë thuhet publikisht: koston e lartë financiare dhe rraskapitjen emocionale që shoqëron pjesëmarrjen e artistëve.
E ftuar në emisionin “Andale”, Orinda u ndal te shpenzimet e konsiderueshme që kërkon vetëm realizimi i një kënge, duke theksuar se investimi shpesh shkon përtej asaj që publiku imagjinon.
“Vetëm kënga shkon deri në 5 mijë euro, pa përfshirë veshjen apo elementë të tjerë. Harxhon shumë dhe në fund merr edhe energji negative. Normalisht vjen momenti që pyet veten: pse duhet t’i bëj unë këto?”, u shpreh ajo.
Por, sipas saj, pesha nuk është vetëm ekonomike. Moderatorja theksoi se klima brenda festivaleve dhe marrëdhëniet që krijohen aty shpesh janë të ngarkuara, gjë që e bën procesin edhe më të lodhshëm për artistët dhe figurat publike.
“Përveç shpenzimeve, përballesh edhe me energji jo të mira, dhe në një moment ndalesh e thua: pse duhet të lodhem kaq shumë?”, shtoi Huta.
Deklaratat e saj kanë nxitur diskutime mbi mënyrën se si konceptohen dhe organizohen festivalet muzikore në vend, duke hapur debate për mbështetjen reale që u jepet artistëve dhe për raportin mes sakrificave që ata bëjnë dhe vlerës që marrin në këmbim./mxh
