Last Updated on 15/04/2026 by Kesjana
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka bërë një reagim në rrjetet sociale lidhur me zjarrin masiv që përfshiu ditën e djeshme pallatin pranë “Farmacisë 10” dhe shkrumboi një pjesë të madhe të tij.
Këlliçi shprehet se ngjarja ku dhjetëra banorë rrezikuan jetën dhe humbën shtëpitë, duhet të hetohet me urgjencë nga Prokuroria dhe shkelësit të dalin para përgjegjësisë.
Ndër të tjera ai shprehet se dy përgjegjësit kryesorë të asaj katastrofë janë kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj. Sipas tij ky sistem me këto ndërtime është bërë me urdhër të tyre.
Postimi i plotë:
Ka dy përgjegjës për katastrofën dje në Tiranë, Edi Rama dhe Erion Veliaj!
Ngjarja e rëndë dje në një zonë shumë të banuar në mes të Tiranës, ku dhjetra banorë rrezikuan jetën dhe humbën pasurinë për shkak të zjarrit që pushtoi një kompleks për disa orë, duhet të hetohet me seriozitet dhe me shpejtësi nga Prokuroria. Të dalin shkelësit në secilën hallkë dhe të vihen para drejtësisë menjëherë!
Pavarësisht kësaj, çdo qytetar e di sot se dy njerëz janë përgjegjësit kryesorë të asaj katastrofe, Edi Rama dhe Erion Veliaj. Eshtë prej dorës së tyre, prej urdhrave të tyre që është ngritur ky sistem, me ndërtime për të marrë sa më shumë para dhe pa pasur parasysh interesat e qytetarëve, sigurinë e cilësinë e tyre të jetës.
Edi Rama dhe Erion Veliaj kanë ngritur industrinë e betonit, që ka zaptuar çdo hapësirë, për të kënaqur klientët e për të shtuar pasurinë e tyre.
Një industri kriminale që nuk ofron elementët bazike të sigurisë për njerëzit, ku duhet sakrifica e heroizmi nga disa zjarrfikës e punonjës policie për të evituar tragjedinë.
Kur Erion Veliaj dhe Edi Rama e lejojnë të njëjtin ndërtues (famozin Armand Lilo) të shtojë 7 kate pa leje mu para zyrës së Kryebashkiakut, në mes të sheshit Skënderbej, a presin vallë qytetarët që bashkia dhe qeveria të kenë ushtruar kontroll për standardet e lejes, apo të cilësisë së punimeve në një kompleks banimi?!
Unë nxis hetim serioz e të plotë nga Prokuroria. Por është e qartë se autorët kryesorë të kësaj maskarade, janë mbi ligjin dhe nuk do të hetohen.
Edi Rama duhet të mbajë përgjegjësi para qytetarëve.
Dhe pasnesër, të premten, datë 17 prill, në orën 19:00, është dita që qytetarët ta bëjnë atë përgjegjës për këtë dramë e shumë të tjera që ai po i shkakton vendit. /Kb
