Një aksident tragjik ka ndodhur në rrugën Thivon, në zonën e Rentisit në Greqi, ku dy të rinj kanë humbur jetën pasi motoçikleta me të cilën udhëtonin doli nga rruga dhe u përplas me një shtyllë ndriçimi. Viktimat janë drejtuesi i motoçikletës, 29 vjeç, dhe pasagjeri, 24 vjeç. Të dy u dërguan pa ndjenja në spital, ku mjekët konfirmuan vdekjen e tyre.
Pamjet filmike të aksidentit tregojnë se motoçikleta po lëvizte me shpejtësi, përpara se drejtuesi të humbiste kontrollin. Në një segment të rrugës ku ka një pjerrësi të lehtë, mjeti doli nga trajektorja dhe filloi të rrëshqiste, duke u përplasur me shtyllën e ndriçimit.
Përplasja rezultoi fatale për të dy të rinjtë. Sipas raportimeve, ata mbanin helmeta, por për shkak të forcës së goditjes, ato u shkëputën nga kokat e tyre. Nga pamjet e publikuara nuk duket të ketë pasur automjete të tjera të përfshira në aksident. Megjithatë, Policia Rrugore e Pireut po heton ngjarjen dhe po shqyrton pamjet filmike të disponueshme, për të rindërtuar lëvizjet e motoçikletës në çastet para përplasjes fatale. Shkaqet e sakta të aksidentit mbeten objekt hetimi./k.m
